Momente krenarie për banorët e qytetit tim Kukësit

23:05 / E diell, 12 Nëntor 2017

 

Nga:REXHEP SHAHU
(fragment nga libri im në proces “Lufta ime për Kosovën”)
Unë kam shumë momente që jam ndjerë krenar si gazetar lokal në Kukës. Jam ndjerë ndikues, imponues, jo urdherues natyrisht. Por kam funksionuar si pika e strehës në gur.
Natyrisht që nuk e kam ndjerë asnjëherë veten të përulur, si viktimë apo për t’u mëshëruar, përkundrazi, dhe këtë e besoj se i ndodh çdo gazetari në botë, jam ndjerë imponues dhe kam besuar se autoritetet apo përsonat drejtues përgjegjës imponohen prej gazetarëve. Nuk imponohen prej gazetarëve ndoshta sepse ata kanë axhendë tjetër e përparësi të tjera por unë si gazetar kam nxitë njerzit që të reagojnë dhe prej fuqisë së dëgjuesve të mi, autoritetet janë imponuar.
Kujtoj se kishin ardhë shumë të plagosur në spitalin e Kukësit, kishte disa ushtarë të UÇK të plagosur. Vjeshtë e gjatë 1998. Shkoja i shihja në spital. Një rast i intervistova 4 ushtarë të plagosur dhe kirurgun Ylber Vata.
Vura re shumë falenderim e shumë demonstrim mirënjohje prej ushtarëve e shoqëruesve të tyre.
Në dhomat e spitalit ku nuk ishin vetëm ata, pranoheshin mirë nga vendasit dhe bashkëjetonin përfekt në spital.
Por tek shkoja shpesh në spital, vija re se ndërsa vendasve u vinin për vizita familjarë e të afërm dhe u sillnin ushqime e lëngje, ushtarëve të UÇK të plagosur në spital nuk u vinte askush. Ndoshta në luftë nuk ka kohë askush të mendojë për tjetrin kur nuk e ke në krah në front. Ose u vinin por nuk i shihnim ne, nuk i shihja unë, u vinin ndoshta natën.
Në këto kushte e rrethana bëra një kronikë në lajme dhe ngacmova emocionet e dëgjuesve të radios. Thjeshtë tregova këto që po përpiqem të shkruaj këtu. Tregova se ata kishin nevojë të vizitoheshin nga njerzit që ta ndjenin se nuk janë vetëm, ta ndjenin se janë të dobishëm, se ka kujdes e vemendje të qytetarëve ndaj tyre. Qëlloi e enjte dhe në emisionin tim “Refleksione” e trajtova këtë teme me një monolog të gjatë paksa poetik dhe emocional.
Efekti qe i menjëhershëm. Në mbremje, nuk them njëqind njerëz, por dhjetra njerëz me qese plastike në duar me dhurata i pashë me sytë e mi duke shkuar në spital. Ecja drejt spitalit. Një grua e njohur më përshëndeti e më falenderoi. “Na kallxojni, mos na lini me u koritë për pak”, më këshilloi ajo dhe ecte drejt spitalit. “Sa të dëgjova në radio dola me vrap…”, vijoi ajo.
Në spital mora vesh se gjithë pasditën kishte patur shumë vizitorë për tek ushtarët dhe kosovarët e tjerë. Asnjëherë si atë ditë nuk jam mburrë me banorët e qytetit tim. Kanë bërë shumë, kanë çelë dyert si në Tropojë si në Kukës, kanë marrë shumë njerëz nëpër shtëpitë e tyre, por rendja drejt spitalit e banorëve të Kukësit për t’iu çuar ndonjë lëng apo ushqim kosovarëve, nuk më ka ikë kurrë nga mendja dhe ka mbetë një nga mburrjet e mia më të mëdha për banorët e qytetit tim.
Atëhere i kam thënë vetes dhe ia kam përsëritë gjithmonë se misioni i gazetarit është i jashtëzakonshëm. Gazetari mundet. Kur nuk bind zyrtarët, ai mundet të bindë qytetarët dhe po u arrit kjo, zyrtarët bëhen minorë.
Unë e di një gjë që nuk ma beson askush, por nuk më ndryshon dot mendje askush: gazetarët e Radio Kukësit kanë qenë priftërinjtë e kishës së madhe Kukës ku u pritën 460 mijë njerëz dhe ku jetuan e mbijetuan disa muaj 125 mijë njerëz që u dëbuan prej vatrave të tyre, derisa u kthyen në Kosovë.
Këtë e di saktë sepse ato kohë të jashtëzakonshme fjalët tona nga radioja dëgjoheshin si fjalë zoti. Kam parë dhjetra njerëz që ndaleshin në rrugë, shmangeshin me radio në dorë, ose bënin qetësi të plotë në klub dhe na dëgjonin në emisione apo lajme. Shpesh më thonin edhe mua, prit tash se po dëgjojmë radion, po dëgjojmë Rexhën, pa ditur se unë isha ai.
I ngushëlloj ato që s’ishin gazetarë atë botë, nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë se çfarë privilegji e magjie ka qenë të ishe gazetar në Radio Kukësi në kohën e krizës së Kosovës. Ma kishte thënë Kurt Shork, “je me fat që jë gazetar, në këtë kohë e në këtë vend.” Po, isha me fat. Unë dhe kolegët e mi ishim me fat, fat papërsëristshëm.
GANI KRASNIQI I MALISHEVËS DHE MERIMAN BRAHA NË KUKËS
Në këtë klimë mirësie kur banorët e Kukësit kujdeseshin për shqiptarët e Kosovës të sëmurë në spital, vijnë një natë në Kukës Gani Krasniqi i Malishevës dhe Meriman Braha që ishte me origjinë nga Bicajt e Lumës por që jetonte në Kosovë prej dekadash.
I njihja të dy si veprimtarë të dallueshëm të Kosovës. Kemi qëndruar bashkë disa orë te Bar Amerika. Ishte koha kur “kishte rënë” Republika e Malishevës. U fol shumë atë botë për pasaportat e kësaj republike e shumë gjëra të tjera. Dolën natyrisht edhe shumë akuza në hava. Unë nuk besoja në ato akuza kundër Gani Krasniqit dhe rrija me kënaqësi me të.
Çfarë mendon që të bëjmë sonte më tha Ganiu.
Propozoj që të shkoni në spital dhe të vizitoni të plagosurit, u thashë unë.
U tha, u bë.
Jepu nga një tufë lekë sejcilit, bëra shaka me Ganiun, se nuk ke ku i çon gjithë ato lekë…
Qeshi dhe u nisëm drejt spitalit. Shkuam dhe ata takuan pothuaj çdo shqiptar të Kosovës që ishte i shtruar aty.
Lexohej në sytë e secilit mirënjhohja. Ata kishin nevojë edhe për vemendjen e secilit se edhe vemendja i shëronte.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400