Rexhep Hoti

Ndeshja e fundit Kosovë – Serbi

20:02 / E hëne, 27 Gusht 2018

Shkruan: Rexhep Hoti

1.
Për t’u ikur përplasjeve të padëshiruara me njerëzit e fuqishëm të politikës njerëzit e fjalës së shkruar shpeshherë përzgjedhin trajtime të figurshme për procese të caktuara. Veçmas shkrimet me cilësime politike sjellin telashe në hapësira ku ende nuk ka vetëdije sovrane të mendimit, aty ku mosdija është fuqi dhe vlerë. Sado e habitshme që mund të tingëllojë, Republika e Kosovës është sot më e pasur në raport me lirinë dhe sovranitetin e saj shtetëror e kombëtar sesa që është e këtillë në raport me lirinë e mendimit, me të vërtetën ose me drejtësinë e saj. Dhe kjo gjendje deri diku është e pritshme. Në qoftë se e skanojmë kronologjinë e çështjes në fjalë, sidomos epokën e tranzicionit, nga vitet e ’90-ta të shekullit që iku e gjer më sot, atëherë rezultatet e një hulumtimi dhe analize të tillë do të ofronin përfundime më të sakta mbi gjendjen, varfërinë, shthurjen e shqyerjen e mendjes kolektive e individuale në Republikën e Kosovës.
Vetëm ky vend i lakmueshëm më shumë nga pushtuesit e saj sesa nga vendorët ka stinë të befasishme brenda vetvetes për të argumentuar me dekada optimizmin e vet në nivelet e kreut botëror, sipas të dhënave të jashtme të pavarura e të besueshme dhe më pas befas të fundoset, të mbetet pa brezin e të rinjve dhe jo vetëm pa ata. Mbase përkushtimi i paçmim ndaj atdheut është shndërruar në zhgënjim të skajshëm.
Pushtimi i atdheut ishte kundërshtimi suprem i brezave dhe ata ia falen edhe dashurinë me gjithçka që patën vetëm e vetëm që liria në Kosovë të valonte sikurse te të gjithë popujt e lirë të botës. Por çfarë u bë me energjinë e optimizmit, me rininë që klasa politike e paraqiste nëpër agjenda elektorale si asetin kryesor të Republikës?! Dhe ndodhi ajo që i kishte përcjellë pothuaj historikisht shqiptarët, përjashto epokën e Gjergjit. Klasa politike, elita, establishmenti i saj u bë shkaktari kryesor i mjerimit të pafund në Kosovë, e cila ia arriti t’ia bëjë jetën e padurueshme brezit digjital shqiptar dhe jo vetëm atij. Në këtë shtjellim të çështjes nuk është në pyetje vetëm varfëria, paperspektiva e tyre. Klasa politike së bashku me nipat dhe mbesat e kolonializmit e ka kapur jo shtetin, siç thuhet për përfitime politike?! Ajo e ka kapur jetën, kohën dhe hapësirën e saj! Lufta histerike për prestigj, për pushtet e lakmi në institucione, në medie, në shoqëri, në rrjete sociale e gjetiu e ka krijuar klimën e padurueshme për njerëzit.
Kosova që deri dje nuk mund të garantonte dot brez të plakur, sepse në njërën anë atdheu kërkonte vdekje të njoma për ta mbajtur të gjallë shpresën e lirisë, në anën tjetër mjerimi prej shtypjes i kërruste të tjerët deri në vdekje pa u plakur, është duke u vjetruar me marre ndërkaq.

2.
Vetëdija e komunikimit me pavarësinë e mendimit në Kosovë ende nuk është normë e vetëkuptueshme, standard, që i përmbush paradigmat e nevojshme në kuadër të shoqërisë.
Kosovës është vendi i pasur me shterpësinë e mendimit, me varfërinë dhe mjerimin e fjalës së shkruar, e përcjellë me mercenarë të mendimit, të cilët nuk ndalojnë së renduri si kafshët e braktisura nëpër rrugët e pandriçuara. Kosova nga fillimi i tranzicionit e tutje është duke e shoqëruar kohën e ndërtimit të vetvetes mbi rrotullimin e vlerave. Edhe më keq. Mbi përmbysjen e vlerave. Edhe ajo e mirë që u ndërtua nga faktori i jashtëm, që ndërlidhet kryesisht me proceset e demokracisë, zgjedhjet e lira, me ndërtimin e policisë dhe të FSK-së, me një pjesë të strukturës ligjore dhe Kushtetutën, krahas shumë të këqijave që na lanë prapa si reliktet e një lufte radioaktive, tash, ku më shumë e ku më pak, iu është nënshtrua rrënimit gradual.
Përballë këtij diskursi ndaj vlerës dhe jovlerës qëndron liria e shqiptarëve e menaxhuar tmerrësisht keq. Në të vërtetë gjerat dhe proceset e tilla janë të ndërlidhura e të ndërvarura.
Shqiptarët e sotëm kanë liri më shumë sesa e meritojnë. Kanë liri më shumë sesa mund ta menaxhojnë realisht. Nga skaji i djeshëm që nuk e kishin fare, të pushtuar nga diktatura e pushtuesi shekullor, ata sot thjesht nuk dinë çfarë të bëjnë me të. Sepse nuk mund ta përpunojnë atë për kohën dhe hapësirën që kanë. Dhe kur një kolektivitet nuk ka energji dhe aftësi për ta merituar dhe menaxhuar lirinë, atëherë mund të shtresohen dhe të strukturoren qartë edhe kuptimet e mundësive për ta respektuar ose jo sovranitetin e mendimit për një komunikim të caktuar. Sepse, për mjedise të tilla, vlerë nuk është mendja, por dhuna, shfryrja emocionale përcjellë me fyerje e poshtërime kudo qofshin ato në institucion ose në vende të tjera. Këtu përfundon filozofia e komunikimit e këtij soji. Liria në vende të tilla mbetet e ve, thënë me figurë. Ajo mbetet pa të Zotin! Kjo do të thotë se nuk është rastësi që Republika e Kosovës nuk ka fuqi të organizohet me një zë e qëndrim të vetëm përballë pushtuesit të saj shekullor. Sepse thënë në mënyrë triviale gjithkush ia ka belanë gjithkujt e askush nuk i ka belanë kurrkujt. Sot nuk ka dy politikanë në nivele të larta që janë të gatshëm të kenë një qëndrim të përbashkët ndaj Serbisë. As brenda partive politike madje?!

3.
E kush ta bëjë atë?!
Institucionet e avancuara të mendimit?! Ndërgjegjja intelektuale?! Intelektualët brenda klasës politike ose “institucionet e tyre të pavarura”, që janë të mbushura me trupa njerëzish që e bartin dhe nuk e simbolizojnë vetëm mosdijen e jokulturën themelore, por neverinë e skajshme ndaj edukatës dhe komunikimit njerëzor elementar?!
Cila parti politike, e mazhorancës ose e opozitës, ka deklaruar publikisht se është e gatshme të zhvishet nga interesat politike të pushtetit vetëm e vetëm për të pasur një zë, një qëndrim, një strategji të unifikuar të spektrit politik të Kosovës përballë Serbisë përgjatë gjithë kohës së përmbylljes së “dialogut”?! Të paktën për këtë çështje!
A kanë fuqi partitë politike shqiptare të bëjnë moratorium në lidhje me politikat e “dialogut” dhe të vendosin për një pjesëmarrje të mbyllur të një tryeze të përbashkët ku fuqia e pjesëmarrjes së tyre të jetë në përpjesëtim me fuqinë parlamentare që kanë dhe në të njëjtën kohë t’i respektojnë institucionet shtetërore dhe ligjet në fuqi?! Debati të jetë i koordinuar me SHBA-në dhe BE-në po ashtu.
Përse spektri politik i Republikës së Kosovës nuk paska mundësi të qëndrojë unik në raport me Republikën e Serbisë deri në përfundim të “normalizimit”, për të komunikuar me opinionin publik vetëm nëpërmjet një përfaqësuesi të vetëm, ashti siç bën e gjithë bota me shoqëri e shtete të avancuara demokratike.
Me pyetje të natyrave të këtilla mund të vihet re më qartë mbizotërimi i skenës politike të vendit nga mirësia ose ana e ligësisë. Togfjalëshi i mendësisë neojugosllave «kapja e shtetit» në thelb është parullë e strategjisë së pushtuesit të Kosovës. Vetëm në Republikën e Kosovës tradhtia, shërbimi ndaj pushtuesit është bërë “vlerë” e trashëguar që të sjellë të mira materiale, pushtet, prestigj?! Këtë rrotullim të vlerave, këtë përmbysje e thelloi klasa politike e komandantëve të pasluftës, të cilët ishin thjesht të papërgatitur nga ana njerëzore e profesionale për ta menaxhuar oreksin e tyre dhe proceset institucionale. Një prokuror që u përfol, për të mirë a për të keq, e krijoi realisht një Gjykatë Speciale Publike për Veteranët me një klasë të tërë politike brenda saj?! Ky akt mund të vijëzojë shembullin se në çfarë përmasash shtrihet fuqia dhe pesha e jovlerës në Republikën e Kosovës dhe çfarë dyshimi i frikshëm i bazuar për vepër penale i rri mbi krye Kosovës. Mijëra e mijëra njerëz dyshohen se nuk kishin asgjë me luftën?! Aktet e tilla e zhvleftësojnë pavarësinë dhe lirinë e Republikës në të vërtetë! Të jetosh i pushtuar do të thotë të kesh gjithmonë ideal për t’u çliruar. Të jetosh me jovlera të tilla do të thotë të mos jesh Njeri, por “bishë kapitalngrënëse”!

4.
Njëra prej çështjeve që e ka humbur kuptimin në skenën politike të vendit është pyetja se kush të bisedojë me Serbinë?! A mund të drejtohet “dialogu” prej atyre që nuk kanë dëshmuar kurrë aftësi për të marrë një përgjegjësi madhore në raport me vendin pa pasur një mbështetës real jashtë tyre?! A mund të zërë vend normalizimi prej atyre që votën politike e siguruan duke u shtirë si viktimë ose nga ata që përfituan kryesisht prej gabimeve të të tjerëve e prej vrasjeve politike, të cilat nuk i ndriçoi as drejtësia e dy nivele botërore e lëre më ajo lokale?! Mos prej atyre që me mjete të dyshimta të ekstremizmit lindor me elemente të fundamentalizmit dhe terrorizmit provuan ta marrin pushtetin?! Mbase me një parti fantome të formuar në Beograd me siguri që jo ose me ata që e vjedhin shtëpinë e vet dhe në mbrëmje ia shesin dhe stërshesin sërish asetet e vjedhura shtetit?!
Me kë të bisedojë Kosova?!
Kush të bisedojë prej Kosovës?!
A mundet një pjesëmarrës zyrtar i gjenocidit ndaj popullit kroat, boshnjak e shqiptar, sot president me perspektivë i Republikës së Serbisë, t’i mundë shqiptarët e viktimizuar, të dhunuar e të dëbuar edhe prej vetë atij?! Ta mundë kastën politike që dje ishin në luftë për liri ose kastën politike që në forma të rezistencës paqësore bën gjithçka për lirinë e atdheut dje?! A mund t’i mposhtë presidenti me perspektivë i Serbisë në Ndeshjen e Fundit nipat dhe mbesat e kolonializmit, që sot janë shqiptarë patriotë të zotë?! Kjo është pyetja që duhet të mos e harrojë klasa politike e Republikës së Kosovës dhe askush tjetër brenda saj! Ajo duhet ta ketë lajtmotiv emocional kujtesën e dhimbshme të së kaluarës dhe fuqi vendimmarrëse të ardhmen e lirë të Republikës! Por edhe në qoftë se nuk ka më dinjitet, as kujtesë e as fuqi vendimmarrëse ajo prapë nuk mund të pranojë të humbë prej armikut shekullor?!
Republika e Kosovës në Përballjen e Fundit me Serbinë ka nevojë për ndihmën e SHBA-së më shumë sesa në kohën e bombardimeve të NATO-s dhe për vargun e poetit të madh prift: «Mbahu, Nëno, mos ki frikë se ke djemtë n’Amerikë».
Republika e Kosovës ka nevojë të madhe për gjermanët, britanikët, francezët dhe austriakët mbi të gjitha!
Mërgata shqiptare në Amerikë duhet të jetë pranë presidentit të SHBA-së, z. Donald Trump, pa dallim dhe në të gjitha format e mundshme që i lejon ligji e Kushtetuta e SHBA-së.
Republika e Kosovës nuk ndihmohet nga shpalosjet e memoareve të atyre që nuk janë më midis të gjallëve. Institucionet e vendit, opozita politike duhet të adresojnë saktë çështjen e “dialogut” dhe t’i tejkalojë apetitet e veta në këtë ballafaqim të fundit me armikun e saj shtatëqindvjeçar.
Kosova i thërret të gjithë pa dallim!
E mira dhe e keqja te shqiptarët ka bashkëjetuar me një trung për shkak të pushtimit të saj shekullor. Prandaj Kosova i thërret të gjithë bijtë dhe bijat e saj, të këqij e të mirë!
Të gjithë për Republikën e Kosovës!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400