Ndikimi rus në Maqedoni: Një kërcënim i besueshëm?

23:21 / E mërkure, 15 Nëntor 2017

 

Nga Vuk Velebit

Pasi Mali i Zi u bë pjesë e NATO-s, qeveria e re maqedonase shprehu
një qëndrim të fortë për t’iu bashkuar aleancës, por ndërkohë edhe shqetësimin për reagimin e zhurmshëm të Rusisë. Kryeministri Zoran Zaev, tha se anëtarësimi në BE dhe NATO, është e vetmja zgjedhje e mundshme për Shkupin, dhe se ai pret një reagim të fortë të Moskës, kur bëhet fjalë për aspiratat e Maqedonisë për t’u bërë anëtare e NATO-s.

Në intervistën e tij për radion malazeze “Antena M”, Zaev theksoi se qeveria maqedonase është e gatshme për një kundër-ofensivë që mund të vijë nga Moska. “Ne jemi të gatshëm, pasi vendi im nuk ka asnjë alternativë, zgjedhja jonë është BE dhe NATO”- tha kryeministri.

Kur është fjala për vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë të bashkohen me BE apo NATO, ka shumë histori rreth përpjekjeve ruse për të penguar integrimin e rajonit. Sipas dokumenteve të rrjedhura nga Projekti i Raportimit mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP), qëllimi i Kremlinit është t’i pengojë vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në NATO, dhe t’i shkëpusë ato nga ndikimi perëndimor.

Në prill, protestuesit nacionalistë mësynë parlamentin duke sulmuar Zoran Zaevin, dhe anëtarë e tjerë të parlamentit. Këto dokumente flasin për përpjekjet e mëdha të kryera nga inteligjenca serbe, për të mbështetur nacionalistët pro-rusë dhe anti-perëndimorë në Maqedoni.

Edhe pse Maqedonia ka qenë një partnere e Perëndimit që kur fitoi pavarësinë, Rusia e ka rritur ndikimin e saj në vend gjatë viteve të fundit. “Duke përdorur mjetet dhe metodat e të ashtuquajturës ‘fuqi e butë’, si pjesë e strategjisë së Federatës Ruse në Ballkan, qëllimi është ta izolojë vendin nga ndikimi i Perëndimit”- thuhet në dokumentet e zbuluara, duke shpjeguar se si Moska ka rritur ndikimin e saj kulturor në vend, duke nxitur një ide të identitetit “pan-sllav” dhe besimin e përbashkët kristian ortodoks.

Një shembull tjetër i ndikimit në rritje, është ngritja e konsullatave të nderit në Manastir dhe Ohër. Gjithashtu, ambasada e Rusisë ka mbikëqyrur krijimin në vend të shumë “shoqatave të miqësisë” Maqedoni-Rusi, si dhe hapjen e një qendre kulturore ruse në Shkup, sponsorizimin e kishave ruse në të gjithë vendin, thuhet në këto dokumente.

Rusiap po përdor disa media maqedonase për qëllime propagandistike, në një mënyrë të parashikueshme, primitive dhe që përmban një hendek midis asaj që raporton dhe realitetit. Ekzistojnë ndërkohë edhe disa uebsajte serbe (Pravda, Vaseljenska, Webtribune), që shërbejnë si burime për propagandën ruse në të gjithë rajonin.

Serbia perceptohet si baza propagandistike e Rusisë në Ballkan. Një numër artikujsh që i shërbejnë axhendës propagandistike ruse, u botuan gjatë dhe pas krizës politike në Maqedoni. Një sasi e madhe e këtyre artikujve, flet për gjendje e luftës apo luftën e afërt, dhe i referohet Maqedonisë si një “bombë me sahat”.

Duket sikur Rusia është e shqetësuar, se nuk është në gjendje të pengojë prioritetet strategjike të Maqedonisë, bashkimin me BE dhe NATO-n, veçanërisht pas krijimit të qeverisë së re. Propaganda ruse ka disa qëllime
në Maqedoni. E para është mbjellja e dyshimeve rreth anëtarësimit në BE
dhe NATO, e dyta forcimi i interesave të saj politike dhe ekonomike.

Qëllimi i tretë shumë i rëndësishëm, është krijimi i një opinioni publik që të ketë një reagim pozitiv ndaj pranisë ruse në Maqedoni. Nga ana tjetër, Kremlini po çliron fantazmat e të shkuarës, duke akuzuar SHBA-në dhe BE-në se po destabilizojnë Ballkanin, dhe krijuar “Shqipërinë e Madhe” nëpërmjet shkëputjes së një pjese të Maqedonisë.

E ardhmja e propagandës ruse, do të varet kryesisht nga kriza politike. Një intensifikim i një krize politike, pritet të çojë në një ndikim më të fortë të Moskës në vend. Por në kushtet aktuale dhe me qeverinë e re, është e vështirë të thuhet dhe të parashikohet ndikimi që do të ketë propaganda rus. (europeanwesternbalkans.com)

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400