Në pritje të skenarit të katërt të opozitës

11:45 / E diell, 31 Dhjetor 2017

 

Një nga pyetjet që preokupojnë më shumë opinionin tonë publik në përgjithësi, e veçanërisht demokratët, në këtë fundvit është: Çfarë do të bëjë opozita gjatë vitit të ardhshëm për të luajtur përpara shqiptarëve rolin e vet kriticist dhe alternativ? Kjo pyetje përmban shqetësimin e thellë që ka shoqëria jonë sot, përballë një qeverie arrogante, të korruptuar dhe të lidhur në shumë segmente të rëndësishme me krimin e organizuar. Në një intervistë të gjatë para pak ditëve, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmendi tre skenarë, që janë në shqyrtim, duke lënë qartë të kuptohet se njeri prej tyre do të zgjidhet.

Të tre skenarët kanë si pikënisje shkeljen e rëndë të Kushtetutës nga ana e shumicës qeverisëse në rastin e zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.

Skenari i parë është për të mbajtur një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Kjo kupton që deputetët e opozitës të qëndrojnë në sallë, duke penguar funksionin e Parlamentit deri në rikthimin e kushtetutshmërisë, që do të shprehej përmes anulimit të zgjedhjes së kësaj prokuroreje.

Skenari i dytë është bojkoti. Largimin pa afat të opozitës nga Parlamenti, siç edhe vetë Basha e theksoi gjatë kësaj interviste, do ta simbolizonte për shqiptarët dhe të huajt shpërfaqja e krizës politike.

Skenari i tretë do të ishte mirëfilli djegia e mandateve parlamentare nga ana e deputetëve të opozitës apo, thënë me gjuhën e Bashës, “invalidimi” i këtyre mandateve. Me një veprim të tillë, opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar do t’i thuhej se ka pushuar së ekzistuari Parlamenti pluralist i Republikës së Shqipërisë.

Të tre këta skenarë burojnë nga vlerësimi i opozitës se shumica qeverisëse shkeli Kushtetutën e Republikës me procedurën që përdori për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Lidhur me këtë argument, është zhvilluar një luftë e ashpër komunikative qoftë përballë opinionit tonë publik, e qoftë atij ndërkombëtar, luftë, të cilën më duket se e ka fituar Edi Rama.

Kryeministri dhe zëdhënësit e tij kanë arritur të mbjellin gjerësisht përshtypjen, shpesh edhe bindjen se opozita nuk e ka hallin te Kushtetuta, por ka frikë nga Prokurorja e re, e cila nuk do t’ua mbajë anën siç kishte bërë Prokurori i mëparshëm i Përgjithshëm . Gjithsesi, shqyrtimi i së vërtetës është një çështje më vete dhe nuk është qëllimi im në këtë rast. Duke u kthyer te pyetja e shtruar në fillim të këtij shkrimi, ne dimë tashmë me siguri se në fillim të vitit tjetër e në vazhdim opozita do të zbatojë njërin nga tre skenarët e mësipërme.

Skenar të katërt nuk do të ketë. Por, edhe pse në gradë të ndryshme, të tre këto skenarë do të sillnin radikalizimin e luftës politike, me pasoja që kapërcejnë menjëherë casus–in origjinar dhe shtrihen horizontalisht në mbarë jetën politike dhe institucionale të vendit. Edhe çështja nëse ka në realitetin tonë socio-politik kontekst të përligjur për një radikalizim të tillë është tjetër dhe do të meritonte një analizë më vete në një rast tjetër.

Ta zëmë se Lulzim Basha beson vërtet se radikalizimi është rruga më e mirë për t’i dhënë opozitës rolin që i takon në zhvillimet e ardhshme të vendit. Po kush do ta udhëheqë atë? Radikalizmi është një proces i vrullshëm, shumë kompleks dhe doemos me pjesëmarrje popullore të gjerë. Derisa të na japë provën e së kundërtës, Lulzim Basha vetë njihet si një lider pa karizëm dhe pa vizion.

E vetmja strukturë politike, që ai udhëheq në njëfarë mënyre brenda ngrehinës legjitime të Partisë Demokratike, është grupi parlamentar. Në parim nuk është pak. Por për një mision të tillë, siç është radikalizmi, duhet parë konkretisht cilësia e Grupit Parlamentar Demokrat. Sepse Basha mund t’i urdhërojë të dyzet deputetët në fjalë të pushtojnë aulën e Parlamentit (skenari 1) për një kohë të pacaktuar, apo të bojkotojnë Parlamentin (skenari 2) po për një kohë të pacaktuar dhe ata t’i binden kokulët.

Le të besojmë madje se ata do t’i bindeshin edhe për të djegur mandatet (skenari 3), gjë që nuk duket shumë e mundshme. Po pastaj, cili do të ishte roli i deputetëve në zhvillimet politike të vendit? Djegia e mandateve, bojkoti i Parlamentit apo qoftë edhe bllokimi i punimeve të Parlamentit duhet të shoqërohet me patjetër nga protestat masive në rrugë. Përndryshe, sakrifica e deputetëve mbetet në caqet e një kryengritjeje brenda pallatit të politikës, pa ndonjë tronditje në sistemin qeverisës të Edi Ramës, i cili, siç e dimë të gjithë, e ka tashmë të plotë timonin për vete.

Ajo, që Basha e quan krizë, është sigurisht e padiskutueshme dhe do të shpërfaqej botërisht. Por vetëm kaq. Kanë ndodhur edhe më parë zhvillime të tilla tensionuese në parlamentet e vendeve demokratike, zhvillime që nuk ia kanë shkurtuar dot megjithatë mandatin shumicës qeverisëse të radhës. Sepse kanë mbetur brenda mureve të ngushta të institucioneve.

Prandaj deputetët e vërtetë ndërmarrin veprime të tilla ekstreme vetëm kur kanë mirëkuptimin dhe mbështetjen e fuqishme të votuesve të tyre të paktën, në mos edhe të një pjese tjetër të opinionit publik, për të refuzuar qeverisjen e Edi Ramës, besimin e së cilës e kanë fituar ndërkohë. Grupi i sotëm parlamentar i Partisë Demokratike, me disa përjashtime që kapin a nuk kapin çerekun e anëtarëve të tij, përbëhet nga njerëz krejtësisht anonimë, të ngjitur në atë lartësi rastësisht apo edhe më keq, në sajë të klientelizmit të Bashës.

Nuk shoh asnjë shpresë që ata të frymëzojnë zgjedhësit e Partisë Demokratike, aq më pak të frymëzojnë opinionin e gjerë publik. Cilindo nga këto tre skenarë që të zbatojnë ata deputetë, në përmbushje të urdhrit të njeriut që i ka graduar, Lulzim Bashës, veprimi i tyre në vetvete sigurisht që do jetë radikal, por pa jehonë radikalizuese në opinionin publik. Ata thjesht do të shënojnë dështimin e radhës për Partinë Demokratike. Ka edhe një mënyrë tjetër për ta shmangur këtë dështim. Që Partia Demokratike të jetë e strukturuar mirë organizativisht.

Domethënë, ta ketë tretur helmin e katastrofës elektorale që pësoi pak muaj më parë, në qershor 2017, ta ketë mbledhur veten duke përtërirë udhëheqjen e vet përmes një procesi të rreptë analize dhe të shohë me besim përpara. Potencialisht, Partia Demokratike është një fuqi e jashtëzakonshme. Edhe vetëm ajo, me anëtarësinë e vet, e mobilizuar si në kohërat e veta të lavdishme mund t’ia shkurtoje jetën regjimit kleptokratik të Edi Ramës.

Por, sa thashë më sipër janë vetëm hipoteza. Në votimet e shëmtuara për rizgjedhjen e Lulzim Bashës, gjatë muajit korrik të këtij viti, morën pjesë faktikisht afro 10 për qind e anëtarësisë së PD-së. Kjo mungesë e demokratëve në llogoren e luftës politike vazhdon. Madje, duke u përkeqësuar. Në mbledhjet e zhvilluara gjatë këtyre javëve në kuadrin e të ashtuquajturës fushatë analize për humbjen e qershorit, të ndërmarrë nga Basha, seksionet me zakonisht nga 40 e 50 anëtarë nuk arrijnë dot të mbledhin as pesë apo gjashtë vetë.

Pra, Partia Demokratike është një kolos në agoni. Edi Rama e di shumë mirë këtë gjë dhe bën ç’i do qejfi. Udhëheqja e sotme e Partisë Demokratike nuk ka aftësitë e nevojshme për ta strukturuar politikisht dhe ta drejtojë një lëvizje radikale të demokratëve kundër Qeverisë së Edi Ramës dhe aq më pak t’i japë kësaj lëvizjeje një program politik realisht të besueshëm dhe frymëzues.

Fatkeqësisht. Kjo që po them unë është realpolitikë. Por nuk e përjashton aspak mundësinë që Lulzim Basha të ndërmarrë pas pak javësh zbatimin e njërit nga të tre skenarët që ka paralajmëruar. Ai e tregoi gjatë pranverës me çadrën që është i aftë të futet qorrazi në aventura pa krye. Por, ne që e ndoqëm herën e parë në çadër, mbajmë në mendje këshillën që ai vetë na ka dhënë: “Më mashtrove një herë, faqja e zezë është e jotja.

Më mashtrove për së dyti, faqja e zezë është e imja”. Shkurt fjala, Partia Demokratike, ashtu siç është sot me Lulzim Bashën në krye, nuk ka asnjë nga cilësitë që do t’i duheshin për t’i dhënë jetë një lëvizjeje radikalizimi të jetës politike të vendit. Rrjedhimisht, Edi Rama do ta hajë gjelin e Vitit të Ri i qetë, pa asnjë ankth. Dhe ne, demokratët, bashkë me qindra mijë të zhgënjyerit nga ky Kryeministër tallava, do të mbetemi në pritje të skenarit të katërt të opozitës, e që duhet të jetë skenari që do të na ngjallë shpresën.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400