Nje kujtesë për kukësianët: Kujdes nga intrigat e Edi Ramës!

22:01 / E enjte, 05 Prill 2018

 

Nga Enver Bytyçi
Sot ishte ditë “ballfaqimi” e qeverisë me realitetin e krijuar në Kukës. Në parlament dhe përmes një video-konference kryeministri Rama foli për taksën e Rrugës së Kombit. Tha se “nuk kemi bërë transparencë”, por “jo për neglizhencë”. Tha se do të rishikojmë taksën, por jo se do ta heqim. Tha se “u kërkoj ndjesë banorëve të Kukësit”, por “ne nisemi nga praktika ndërkombëtare”! Nuk po i rendis të gjitha thëniet dhe kundërthëniet e kryeministrit të vendit tim, sepse kjo analizë do të mbushej me një retorikë të tillë pambarim. Por dua të përmend se ai la të kuptojë që nuk do ta zgjidhë konfliktin. Tha se “do të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme-të mundshme”, duke ritheksuar fjalën “të mundshme”! Por pa artikuluar asnjë detaj për këtë!
Një fjalim që fillon me një fjali pohuese e më pas shoqërohet me një fjali kundërshtuese, është fjalim i stilit të Ramiz Alisë. Kujdes nga ky lloj diskursi. Në këtë lloj diskursi fshihet mashtrimi, intriga, pabesia. Nuk po flas për pyetjet retorike të tipit “Kush do të donte të vinte taksë”?! “Pse unë dua të ve taksë”?! “Unë jam model i ri udhëheqësi, nuk jam nga ata që dua të duartrokitem”! Të gjitha këto kanë brenda fabulën e mashtrimit të detyrueshëm!
Pse shkoi në këtë lloj diskursi Edi Rama? Ai është në dilemë: Ose duhet të heqë dorë nga taksa në Rrugën e Kombit, ose duhet ta mbajë atë. Duket qartë se është i vendosur t’i shkojë aventurës së tij deri në fund. Për këtë mund të ketë vetëm arësye personale. Unë bëj pjesë tek ata që asnjë arësye shtetërore nuk e justifikon një taksë të tillë për banorët më të varfër të Europës! Duhet “europianizuar” pjesa tjetër e Shqipërisë më të pasur sesa qarku I Kukësit e më pas të shkohet në Kalimash.
Rama nuk është aq trim sa të shpallë një sfidë të hapur me kukësianët. Prandaj i duhet maska. Modelin e maskës e ka të gatshëm, prej paraardhësit të tij, Ramiz Alia. Shkurt, si çdo lider në krizë, edhe Edi Ramës i duhet të fitojë kohë. Dhe kohën dëshiron që ta shfrytëzojë jo thjesht për të ulur gjakrat, por për ta përçarë faktorin kukësianë. Ai do të përdorë të gjitha mjetet për ta realizuar përçarjen e tyre. Do përdorë e po përdorë akuzat e tipit “kukësianët janë të manipuluar”. E bën këtë, sepse e ka kapluar frika. Protesta e Kukësit ishte e para protestë pas atyre të vitëve 1990-1992 e pasponsorizuar. Nuk u sponsorizua as politikisht, as materialisht, as financiarisht! Prandaj dhe ishte e do të mbetet si risi në të gjitha protestat e zhvilluara në 25 vitet e fundit. Protesta e kukësianëve ishte e fuqishme, me mesazhe të qarta dhe frika e Edi Ramës është se kjo protestë bëhet virus, u jep zemër të gjitha qyteteve dhe krahinave të tjera të Shqipërisë, të cilat nuk kanë më pak probleme me qeverinë sesa ka qarku i Kukësit.
Prandaj Edi Rama gjeti këtë mënyrë komunikimi. Adaptoi një stil skuthi, që vetëm se e thellon mosbesimin midis palëve. Marrëdhënia në shoqëri ose është marrëdhënie besimi, ose nuk ekziston. Deri më sot Edi Rama nuk ka dhënë në asnjë rast shembullin e tij të një marrëdhënieje korrekte, besimi e mirëbesimi me palët politike dhe me publikun. Prandaj i duhet retorika e mashtrimit dhe intrigës! I tillë ishte sot diskursi i bashkëbisedimit me kukësianët.
Sa herë flet kryeministri ynë dëshmon se di të manipulojë me fjalën, por nuk di dhe nuk do që të qeverisë vendin në interes të qytetarëve. Ndryshe nuk kanë si shpjegohen kooptimet e kriminelëve në parlament e administratën shtetërore. Di të artikulojë dhe di që brenda artikulimit të fshehë intrigën e tij, por nuk di të jetë transparent dhe i sinqertë në ato që thotë. Di të betohet e përbetohet e me këtë aftësi di të mbulojë gjithashtu aferat e veta e të qeverisë! Di të përballet, të replikojë e batutojë, por nuk do që të jetë serioz në punët e shtetit e të qeverisjes, sepse të qenit serioz e nxjerr bllof! Di të “tërhiqet”, por edhe kur “tërhiqet” ka planifikuar një reng, pra tërheqjen e sheh si mjet për arritjen e qëllimit përfundimtar! Di të sulmojë, atëherë kur nuk mund të mbrohet! Di të shpifë, atëherë kur i duhet të tërheqë vëmendjen e opinionit nga aferat dhe implikimi i ministrave të tij në krimin e organizuar! Pra di të jetë mjeshtër i përkryer i vepravë që dëmtojnë interesin publik, pikërisht duke përdorur diskursin publik!
Të gjitha këto cilësi ai i shfaqi në video-konferencën e sotme me kukësianët. Tha se është bërë padrejtësi me mostransparencën ndaj qytetarëve, por nuk tha se kush mban përgjegjësi politike e logjore për këtë. Nuk i përmendi protestuesit e dënuar me burg, sepse nuk tërhiqet nga vendimi i tij politik për ndëshkimin e tyre, ndërkohë nuk komunikoi asnjë masë për atë që ai e quan përgjegjësi të mostransparencës. Foli për “transparencë”, por nuk foli për bashkëvendimmarrje.
Të gjitha këto fakte, të cilat janë thjesht një pjesë e atyre që u përmenden sot e që gjenden midis rrjeshtave të fjalës së kryeministrit, dëshmojnë se kukësianët nuk duhet të gënjehen nga mashtrimet e Edi Ramës. Kërkesat duhet të jenë thjesht dy:
1. Të hiqet krejtësisht taksa e Rrugës së Kombit e bashkë me të kabinat e mbledhjes së saj, sa kohë që ajo shihet si taksë diskriminuese. Arësyet që përmend Edi Rama për këtë taksë janë të njëjta për të gjitha rrugët në Shqipëri. Pse Rruga e Kombit duhet të ketë taksë dhe rrugët që të çojnë në Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë etj nuk duhet ta kenë këtë taksë?! Të gjitha rrugët kanë nevojë për mirëmbajtje, të gjitha rrugët kanë nevojë për ristrukturim, të gjitha rrugët kanë një kosto ndërtimi e mirëmbajtjeje.
Prandaj është mashtrues arësyetimi se rruga është “parrugë”, siç thotë Edi Rama! Pesë vite ishin të mjaftueshme që kryeministri “Rrugët t’i bënte me rrugë”! Eshtë mashtrues arësyetimi se Rruga e Kombit “ka kushtuar shumë”! Të gjitha rrugët kanë kushtuar shumë. Prapa këtij sllogani fshihet hakmarrja e kryeministrit me arësyetimin se “Për Rrugën e Kombit paskan paguar shqiptarët dhe përfitojnë kukësianët e kosovarët”?! Nuk ka asnjë arësye që taksimi të fillojë nga Rruga e Kombit, aty ku kalojnë qytetarët më të varfër të Shqipërisë.
2. Kërkesa e dytë e panegocueshme duhet të jetë lirimi pa kusht i të gjithë protestuesve në arrest me burg, në arrest shtëpie e me detyrim paraqitje. Madje kërkimi i ndjesës për sjelljen barbare dhe çuarjen para gjyqit të prokurorëve, policëve dhe gjyqtarëve që falsifikuan dhe zbatuan urdhërat politikë për dënimin e kukësianëve. Ky akt do të duhet të ishte kusht i panegocueshëm për bisedime me kryeministrin e vendit! Ata që sot bashkëbiseduan me kryeministrin mme dashje ose pa dashje u bënë palë kundër viktimave të protestës!
3. Dhe së fundmi: Kukësianët duhet të zgjedhin një përfaqësi të besueshme dhe të denjë që të bisedojë me kryeministrin. Ata që thërrasin “Kemi besim te ju zoti kryeministër”, janë në konflikt interesi me këtë përfaqësim! Besimi krijohet me vepra e më pas edhe e marrëveshje të besueshme. Asgjë nga këto nuk pamë në bashkëbisedimin e sotëm. Nuk mund të përfaqësojnë protestuesit, ata që janë ndëshkuar e familjarët e tyre, nëse del dhe thotë “Protesta është manipuluar”, “protesta është keqpërdorur”! Kjo ishte dhe do të mbetet protesta e paqes, e drejtësisë, e shpresës dhe e guximit qytetar!

Tiranë, më 05.05.2018

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400