Opozita e çoi kryeministrin në ekstazë marrëzie!

14:45 / E premte, 20 Prill 2018

 

Nga Enver Bytyçi

Eshtë bërë zakon që politika në Shqipëri te festojë për gjëra të rëndomta, madje para kohe. Kryeministri ynë ishte ne ekstazë ditën që Vlahutin i dorëzoi atij Raportin e KE, në të cilin rekomandohet hapja e negociatave për pranim në BE të vendit tonë. Madje e shpalli veten si vazhdues të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, duke evituar të deklarohej ashtu siç është në të vërtetë: -Vazhdues i metodave hoxhiste në qeverisjen e vendit! Sot në parlament zoti Rama tha se “Pa Partinë Socialiste dhe qeverinë e PS-së nuk bëhej Shqipëria vend kandidat”! Duke mohuar faktin se tri vjet radhazi ishte PS që e bllokoi marrjen e këtij statusi të Shqipërisë dhe për çfarë? Për postin e kryetarit të Qarkut të Fierit! Çfarë do kishte ndodhur nëse zoti Rama do ishte protagonist i anëtarësimit në NATO të Shqipërisë?! Nëse nisemi nga starti i kësaj që ndodh sot për një raport, i cili nuk është veçse një rekomandim, atëherë duket qartë se Rama do të kishte pësuar infarkt në zemër nga ekstaza e “lavdisë që do kishte korrur”! Kjo dukuri tipike shqiptare, sepse nuk bëjnë si ne as vendet afrikane, jo më këta komshinjtë tanë, në fakt na zhvleftëson në sytë e botës si popull e si komb pa kulturë politike, pa vetëdije e pa arësyetimin e nevojshëm logjik, ndërkohë që na bën të pabesueshëm dhe antipatikë! Them si popull dhe si komb, sepse shumica e shqiptarëve, përveçse i votëbesojnë politikanë dhe udhëheqës të tillë, i duartrokasin dhe himnizojnë ata e për pasojë refleksioni shkon te ndërgjegja dhe kultura politike e jona si tërësi kolektive nacionale. Pse duhej festuar kësisoj, me autolëvdata dhe sharje e mallkime për kundërshtarët politikë për një raport, i cili thjesht rekomandon një proces të dhënë anëtarësimi në Bashkimin Europian?! A ka sens kjo, a ka logjikë minimale?! Janë disa kulme historike të kombeve, për të cilat festohet e përkujtohen, por jo një raport I tretë rekomandues i Komisionit Europian! Si të tilla në fushën e integrimit çdokush do të veçonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO (2009) dhe liberalizimin e vizave (2010). Sot jemi afërishst një dekadë më pas. Në retrospektivë mund të them pa frikë se njëra prej ngjarjeve historike, liberalizimi i vizave, është vënë në rrezik. Diskutimet dhe vizitat e shpeshta të ministrave të Brendshëm të vendeve europiane në Shqipëri lidhen me shqetësimet serioze që këto vende kanë sa i përket rritjes së kriminalitetit të shqiptarëve në vendet e adresuara, rritjen e kërkesave për azyl, rritjen e fenomeneve që lidhen me mosrespektimin e rregullave të lëvizjes Shëngen, rritjen e trafikut të drogës, duke filluar nga kokaina e deri të mariujana. Sot ishte për një vizitë një nga anëtarët e kabinetit belg për emigracionin! E çdo vizitë e shpeshtuar e homologëve të Sajmir Tahirit dhe Fatmir Xhafës nga vendet europiane ka si emrues të përbashkët shqetësimin dhe përkeqësimin e situatës së kriminalitetit në periudhën e rilindjes e për pasojë vënien në pikëpyetje të asaj arritjeje të jashtëzakonshme për shqiptarët, lëvizjen e lirë të tyre. Ndërkohë kryeministri feston në ekstazë një paragraph rekomandues të realizuar perms lobimit të Frederica Mogherinit! Ndërsa ka lëshuar zagarët mediatikë të përhapin gënjeshtrën e radhës se “kreu i opozitës paska paguar gjermanin Kirchenbaum të bllokojë hapjen e negociatave?! Kështu, nëse negociatat nuk hapen “fajin do ta ketë Luli”! E vërteta është se Luli dhe opozita janë fajtorët kryesorë për hapjen e negociatave. Siç po shihet, opozita po ia jep Edi Ramës shansin me duart e veta që të zgjasë ciklin e dhunës e të rrënimit të mëtejshëm të këtij vendi! Nga ana tjetër çdokush që ka 10 gram tru e kupton se hapja e negociatave, nëse ndodh, nuk vjen për shkak të panoramës rozë që na paraqet në ekstazë kryeministri ynë, por për shkaqe gjeopolitike. Shqipëria, ashtu si rajoni, nuk do të pranohet në BE për shkak të meritave, pavarësisht vetëmburrjeve marramëndëse e të çartuna të padishahut tonë! Nëse do bëhej një bilanc për meritat, ato lidhen thjesht me skandalet e ditëpërditshme të qeverisë, policisë që nuk e duam, gjyqësorit dhe në përgjithësi të përfaqësuesve të mazhorancës në legjislativin shqiptar! Një ish-ministër i brendshëm, i zënë në flagrancë, ngrihet e i bën “bij kurvash” të gjithë ata që kërkojnë drejtësi për të si bashkëpuntor i shpallur me bandat e krimit dhe trafiqeve në Vlorë e në të gjithë Shqipërinë. Ky ish-ministër, binjak i kryeministrit në vese e në veprimtari kriminale, guxon të kërcënojë këdo që i del përpara, sepse ka mandatin e kreut të ekzekutivit të mbrohet nga krimet monstruoze të tij! Dikush thotë se po kërcënon bashkëpunëtorin e tij në krim, kryeministrin e vendit! Nuk e shesin kriinelët njëri-tjetrin! Dhe mos prisni që Rama ta shesë Sajmirin, apo ky i fundit ta shesë mikun e tij, Edi Rama! Ata janë gati ta shesin Shqiperinë, por jo njëri tjetrin! A u shit pronari i 613 kg kokainës që u kap në portin e Durrësit?! “Peshku i madh” i atij operacioni ishte dhe mbetet një shofer, që punonte për bukën e gojës!! Ndërkohë policia shkel ligjin në sjelljen ndaj qytetarëve të thjeshtë e në mjerim, ndërsa ministri përkatës pa u skuqur fare thotë se “verifikuam, hetuam, ekzaminuam, – fituam”, dmth pa faj e pa fajtorë! Kryepolici heton veten dhe del i pafajshëm! Kjo është drejtësia që na servir qeveria! Megjithatë opozita i thotë po integrimit të koakinës dhe hashashit në BE! Sot falimentoi Gul-fi, aq i propaganduar si sukses i qeverisë Rama në investimet e huaja! Kanë falimentuar dhe po falimentojnë mijëra biznese, ndër to kompani të huaja me famë! Edhe për këtë qeveria shqiptare mburret me rekomandimin me qëllim që të të fshehë dështimin! Edhe për këtë opozita votoi hapjen e negociatave! Më duhet të besoj se opozita e çoi zotin Rama në ekstazë për “fitoret e sukseset” e tij imagjinare, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë humnerës!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400