Për dekriminalizimin e shoqërisë sonë

17:41 / E hëne, 23 Prill 2018

Sali BYTYÇI

 

Ne shqiptarët, problemin kryesor e kemi në gjykim, ndërsa të gjykuarit drejt është njëra nga mundësitë më të mëdha për të ndryshuar për mirë gjendjen tonë shumë të keqe, në të cilën jemi katandisur.

Slogani “luftë kundër korrupsionit”, për të cilën është e interesuar shumë edhe Evropa, më shumë është një eufemizëm! Jo “luftë kundër korrupsionit”, po “dekriminalizim të shoqërisë”, sepse shoqëria jonë shkon përtej korrupsionit.

Çfarë ka mbetur e pakriminalizuar në shoqërinë tonë? Çfarë i ka shpëtuar kriminalizimit deri më sot? Pothuaj asgjë.

Kriminalizimi i shoqërisë sonë ka përfshirë pothuajse çdo qelizë të shoqërisë.

Do t’ju përmend vetëm një shembull: Në çdo mandat që ka kaluar komunat janë zhytur në borxhe, ndërsa komunarët kanë dalë të pasuruar!

Çfarë do të thotë kjo?

Po çështja është se nuk duhet të ngelim vetëm në konstatimin e gjendjes, po edhe të japim mundësinë e kapërcimit të kësaj gjendjeje.

Sipas mendimit tim, mënyra për daljen nga kjo situatë, pothuaj e pashpresë, do të ishte kjo që do ta elaboroj në rreshtat në vazhdim:

Hapi i parë që duhet të bëhet për dekriminalizimin e shoqërisë sonë, është dekriminalizimi i sistemit të drejtësisë, sepse sistemi i drejtësisë tek ne është komplet i kriminalizuar.

Një drejtësi që burgos kë të dojë dhe nxjerr nga burgu kë të dojë dhe kur të dojë, është drejtësi e kriminalizuar.

Nuk mund të ketë shtet të së drejtës në një vend ku drejtësia është e kriminalizuar!

Çfarë drejtësie është kur ngrihet aktakuzë ndaj një grupi, me ç’rast të gjithë akuzohen, ndërsa shefi i grupit mbetet jashtë akuzës?!

Pasi të dekriminalizohej, punën e parë që do të bënte drejtësia e dekriminalizuar, do të ishte verifikimi i listave të akademikëve dhe veteranëve.

Çfarë akademie është ajo kur ish-kryetari i Akademisë, dikur kryetar i Partisë Fshatare, e fut në akademi ish-nënkryetarin e kësaj partie, pra nënkryetarin e Partisë Fshatare, i cili gjatë gjithë jetës së tij e ka shkruar një libër? Një libër të vetëm për Gjakovën me rrethinë?!

Çfarë akademie është ajo, në të cilën ish-kryetari i Akademisë, përveç ish-nënkryetarit të vet, fut në akademi edhe ish-mësuesin e tij të gjimnazit, kryevepra e të cilit është e folmja e Karadakut?!

Çfarë akademie është ajo, kur ish-nënkryetari i saj e fut në Akademi një persona që është dhëndër i pjesës nga është ky ish-kryetar dhe kryevepra e të cilit është gjuha e gazetave?

Çfarë akademia është ajo, që krijon një rregullore sipas së cilës i propozon vetë njerëzit të cilët do të hyjnë në të?!

Çfarë akademie është ajo që boton plagjiatura dhe plagjiatorët, në vend të japin llogari, ata  paguhen shtrenjtë nga taksat e popullit që ka ngelur pa kurrfarë perspektive në këtë hapësirë?!

Çfarë Akademie është ajo që selinë e ka në vendin më të varfër në Evropë dhe në rajon, por paguhet më së shtrenjti në rajon?!

Çfarë akademie është ajo që, në emër të pavarësisë së saj si institucion, pjesëtarëve të saj u siguron paga edhe gjashtë muaj pas vdekjes?!

Fundi fundit, çfarë vepre në nivel kombëtar bëri kjo akademi, përveç matjes së territorit të Kosovës nga ish-kryetari i saj, me ç’rast i dolën shumë kilometra tepër?!

Pastaj verifikimi i listave të veteranëve, në të cilat çdo veterani të vërtetë ia kanë vënë edhe shtatë të rremë përreth!

Në listat e veteranëve ka prej indiferentëve të luftës e deri edhe te kundërshtarët e luftës! Po kjo nuk është e tëra: në këto lista tani ka edhe njerëz të cilët gjatë luftës e kanë lozur bishtin me pushtuesin!

Në listat e veteranëve ka lloj-lloj badihavxhinjsh, lloj-lloj servilësh partiakë, lloj-lloj nevojtarësh që kanë nevojë për ato para që duhet të marrin!

Në listat e veteranëve ka njerëz për të cilat edhe pulat e dinë që nuk ishin pjesëtar të luftës, po as ndihmës të saj!

Në fryrjen e listave të veteranëve nuk e kanë marrë pjesë vetëm pjesëmarrësit e vërtetë të luftës, po edhe dezertorët e luftës, të cilët kanë futur sa kanë mundur njerëz në këto lista!

Shkurt, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës paguhen shumë njerëz për shkencë dhe art, e të cilët nuk bëjnë as shkencë as art, prandaj ky institucion është i kriminalizuar dhe patjetër që duhet të dekriminalizohet! Po ashtu, edhe në listat e veteranëve ka shumë njerëz që nuk e kanë as edhe një mëritë për luftën dhe këto lista duhet të verifikohen!

Dekriminalizimi nuk do të ndalej me këto që i përmenda, po do të shkonte edhe më tej. Drejtësia nuk do t’i ndiqte vetëm ata që do të korruptohet prej tani e tutje, por edhe ata që janë korruptuar deri më tani: pasuritë që nuk do të mund të arsyetohen, duhet të konfiskohen!

Si përfundim, në fillim përmenda dekriminalizimin  e drejtësisë, po e përmend edhe në fund: drejtësia për të qenë drejtësi ose duhet të jetë si korrenti elektrik ose nuk është drejtësi: kush e prek, e rrok, ndërsa ata që nuk e prekin, jetojnë në paqe të përhershme me të!

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400