Për gjajën e keqe, një gardh të lartë me gjemba!

13:44 / E enjte, 15 Mars 2018

 

Nga Sali BYTYÇI

 

Si fëmijë disa vjet me radhë në fushat e fshatit kam ruajtur bagëtinë e familjes.

Një grup shokësh bëheshim bashkë dhe i kullosnim bagëtitë, kryesisht lopë, po  ndonjëherë qëllonte në tubë edhe ndonjë kali apo edhe ndonjë dhi…

Shumica prej lopëve ishin të mira, por edhe ato më të mirat, nëse ne nuk i kishim në kujdes dhe ndonjë arë e kishte shtegun e hapur për të hyrë në të, futeshin në arën e huaj, të cilën e dëmtonin nëse ishte e mbjellë me grurë apo misër, ndërkaq nëse ishte me jonxhë, ndodhte të dëmtonin veten, sepse fryheshin e ngordhnin. Ndërkaq lopët e këqija, të cilat i quanim “damtare”, në çdo çast mbanin kokën lart për të parë ku është ndonjë arë me grurë, misër apo panxhar sheqeri, për t’u futur aty dhe për të mbushur barkun. Po edhe fshatarët që i njihnin këto lopë, merrnin masa që të ruanin të mbjellat e tyre: në shtegun ku mund të futeshin këto lopë, bënin një gardh të lartë dhe me gjemba. Jo rrallë herë i kam parë këto lopë të këqija të afroheshin në shtegun e arës së mbjellë, po vetëm kur turinjtë e tyre hasnin në gjembat e fortë të gardhit, atëherë me turi të rrudhur ktheheshin prapa…

Këto lopë të këqija m’i kujtuan disa deputetë që vrapojnë nga njëra parti në partinë tjetër ose edhe që bëhen “të pavarur”…, për t’i përmbushur epshet e tyre egoiste. Prandaj edhe votuesit këtyre deputetëve që u ngjajnë lopëve “damtare”, duke marrë përvojë nga fshatarët, duhet t’iu vendosin gardhiqe me gjemba, që të mos mund t’i kalojnë në ara të huaja sa herë të duan, po të ndjekin fushën e caktuar ku duhet të kullosin…

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400