Për ilirët fisnikë, për fiset e mbetura ilire dhe për mesjetarët që i kemi në krye të shtetit

18:40 / E martë, 06 Mars 2018

 

 

Shkruan Sali BYTYÇI

 

(Përsiatje të pa sistemuara)

Me sa duket, ilirët fisnikë janë asimiluar nga popujt tjerë, ndërsa kanë ngelur vetëm pak fise ilirësh në malet e Mesdheut, të cilat më tepër se dymijë vjet nuk arritën ta kapërcejnë stadin fisnor.

Ndërkaq, e keqja e kësaj mbetjeje në male, të vetmuar për shekuj nga të tjerët, te këto fise ka krijuar edhe iluzionin se janë fise të zgjedhura të Zotit, duke harruar se të Zotit janë të gjithë, po fitimtarë do të jenë vetëm ata të organizuarit, ata që punojnë shumë, ata që nuk jetojnë në iluzione.

Përveç gjuhës që e kanë ruajtur pothuaj ashtu siç ishte rreth 3000 vjet më parë, unë personalisht nuk shoh diçka tjetër me rëndësi që kanë ruajtur këto fise. Problemi mbi problemet është se, si fise që kanë jetuar me shekuj në male, të paorganizuara politikisht, të tjerët përreth jo rrallë i kanë mbajtur në robëri të gjata, por edhe sot, edhe pjesët që janë liruar nga të tjerët, vazhdon t’i sundojë pjesa më bastarde e këtyre fiseve…

Ndërsa gjithnjë këto fise ishin trime të luftonin me njëra-tjetrën, u treguan të dobëta dhe frikacake ndaj të jashtmëve, sepse ishte e pamundur të organizoheshin në njësi më të mëdha se ato fisnore: të organizoheshin në shtet.

Tani dobësinë e trashëguar për të luftuar të jashtmit, ky popull i mbetur në nivelin fisnor, e ka bartur edhe në rrafshin e brendshëm: pamundësinë për t’u ngritur mbi kufijtë fisnorë dhe për ta mundur të keqen, po fisnore, që vazhdon ta shtypë.

Si përfundim, gjendja e tanishme e çoroditur, është vetëm si rrjedhojë e pamundësisë për të kaluar atë nivel fisnor, si dhe të jetuarit edhe më tej në iluzione se ne jemi të zgjedhurit e perëndisë dhe Perëndia duhet të kujdeset për ne, e jo ne për veten tonë!

Ndryshe nuk mund ta shpjegoj që, edhe sot, në krye të shteti kemi njerëz me mentalitet mesjetar, fisnorë, mendja e të cilëve shtrihet deri aty ku i ka fushat fisi i tyre, ndërkaq pjesë të tjera të Republikës së Kosovës janë të gatshëm “t’i humbin” me një nënshkrim që mund ta bëjnë në çfarëdo letre që ua qet dikush para tyre për ta nënshkruar.

Këto fise, jo rrallë në të shkuarën kanë kërkuar ndihma edhe nga jashtë që të mbrohen nga fise të tjera, apo edhe për t’i sunduar fiset tjera. Krijimi i Qeverisë së Kosovës me ndihmën e një force të jashtme, të quajtur Lista Serbe, është në të njëjtin kah të zhvillimit negativ të shqiptarëve fisnorë; pra, thirrje e ndihmës nga jashtë për t’i mundur të brendshmit që, në fund të fundit, është një fitore në dukje, po një humbje në perspektivë!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400