Planeti në rrezik, shqiptarët bëjnë cirk!

11:11 / E premte, 13 Prill 2018

 

 Nga Sevdail Hyseni

 

Kur bota është ngritur në këmbë, nga kërcënimet për një luftë të mundshme botërore, pa përjashtuar përdorimin e armëve kimike dhe shpërthimet bërthamore, Parlamenti i Shqipërisë, zbardhet e skuqet, nga hedhja e miellit, shisheve dhe të kuqtë e vezës.

Në vend se ky Parlament shqiptar, duke llogaritur edhe atë të Kosovës, të debatojnë për shkallën e rrezikut të lartë, që mbretëron në botë, ata ngatërrohen për gjëra, të cilat nuk çojnë ndonjë peshë të madhe, sa këto që po paralajmërohen e mund të na kushtojnë shtrenjtë.

Serbia, vendi fqinj i Kosovës dhe Shqipërisë, është në përgatitje e sipër nga ndonjë shtrirje eventuale të luftës në hapësirat ballkanike, e shqiptarët hiqen sikur të gjitha i kanë në terezi, e bien në sherr mes vete në Parlament, duke mos kursyer miellin (bukën e gojës), ujin, shishet, vezët etj.

Sindromi kosovar i hedhjes së vezëve dhe gazit lotsjellës në Parlament, po përsëritet edhe në Shqipëri, me një metodë të re, kjo e gjuajtjes së miellit, një nga skandalet e pashembullta në historinë e njerëzimit.

Të përdoret miell, si mjet për sulm ndaj kundërshtarit, kjo është e tmerrshme e frikshme dhe e turpshme. Të gjuash me miell, me bukë, në një kohë kur skamja ka trokitur në shumë vendbanime shqiptare këndej e matanë Drinit, është më shumë se një absurd. Të parët tanë kur vërenin se dikush luante me miell ia tërhiqnin vërejtjen:”Mos se buka të vret!”. E zia e bukës, jo rrallë, i pat goditur dikur edhe shqiptarët, të cilët assesi të mbushen mend!

Mielli nuk është gaz lotsjellës, gurë e shishe uji për gjuajtje, por ushqim për njerëz, kujtone kohën e Migjenit, kur thoshte “Bukën tonë të përditshme falna sot”, apo te rrëfimi tjetër “Legjenda e misrit”.

Po disa deputetë, mjerisht, shqiptarë nuk e kanë hallin e miellit, bukës e kripës, ata këto gjëra ushqyese nuk i shohin karshi mishit të pjekur në hell e specialitete të tjera, prandaj nuk është edhe e çuditshme të shohim se si hedhet mielli në Parlament!

E shqiptarët e Luginës së Preshevës, të mësuar nga fluturimi i aeroplanëve luftarakë, të kalitur nga gjendja e jashtëzakonshme, të regjur nga skamja e të mësuar nga presionet e luftës psikologjike, nuk po munden të pajtohen me këto dukuri të shëmtuara, të poshtra e të ulëta, të cilat po ndodhin në parlamentet shqiptare.

Ky shqetësim vjen tani, kur planeti ynë po kërcënohet nga një luftë botërore, nga e cila as ne nuk mund t’i ikim e as që mund ta ndalim, po të paktën të jemi të mobilizuar për situata të papritura.

Të marrim si model vendet fqinje se si organizohen nëpër këto situata, ngase nuk thuhet kot: “Kur vjen ujku në komshi, prite në shtëpi?!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400