Politika e aktit të kryer si shenjë dalluese e Qeverisë Haradinaj

17:17 / E enjte, 03 Maj 2018

 

 

Nga Bajram Gecaj

 

Të gjithë jemi dëshmitarë se Qeveria Haradinaj u ndërtua ekskluzivisht përmes manovrimeve të sekserëve e matrapazëve, të cilët skena politike kosovare i njeh mirë. Në procesin e ndërtimit të kësaj qeverie u shpërfaqën mënyra e metoda skajshmërisht të pandershme, si në aspektin moral ashtu edhe në atë politik e ligjor. Këto metoda e mënyra opinioni publik në Kosovë i kishte parë të përdoren shpeshherë pas luftës, nga po këta njerëz që sot janë në qeveri. Për të qenë edhe më i saktë, kjo qeveri u ngrit mbi premisa të natyrës kriminale, përfshirë kërcënimin, shantazhin, joshjen e korrupsionin, si dhe mjete e metoda tjera të ngjashme me këto. Përveç këtij aspekti kriminal, kjo qeveri kërkoj dhe mori bekimin vendimtar të liderit serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit në një moment që kjo qeveri i doli nga qejfi, ia tërhoqi aprovimin e dhënë dhe e la vetëm, me numra mizerje në Kuvend, më të voglit që ndonjë qeveri kosovare ka komanduar pas mbarimit të luftës.

 

Qeveria Haradinaj, pra, u formua për të kënaqur apetitet personale e klanore të disa individëve e grupeve: disa nga protagonistët që ndihmuan formimin e Qeverisë Haradinaj  këtë e bën për t’u ngritur në pozita të reja, e tjerët për të ruajtur dhe mbrojtur pozitat ekzistuese, njëjtë siç bën ujku kur ruan prenë e vet. Krejt këto manovrime në procesin e ndërtimit të kësaj qeverie gravitojnë rëndë dhe thellë në zonën kriminale, e cila kurrë nuk do të ishte toleruar në një vend që sadopak pretendon të bazohet në sundimin e ligjit. Thënë në zhargonin e shkencave politike moderne, kjo qeveri u formua nga ata që kishin për qëllim  mbrojtjen dhe ruajtjen e “kapjes” së vjetër të Republikës, e tjerët për një “kapje” të re të kësaj Republike.  Këto manovrime me premisa të qarta kriminale kanë për qëllim parësor mbrojtjen e interesave parciale, si dhe krijimin dhe trashjen e “dhjamit” individual e grupor në kurriz të taksapaguesve të Kosovës së shkretë.

 

Në Qeverinë Haradinaj hyjnë edhe ata që përmes metodave “inteligjente” të Kadri Veselit dhe pabesisë së regjur në sprova permanente të  “gjarprit” kanë gërryer dhe konspiruar për tri vite radhazi nga shpina dhe nëntoka kundër Qeverisë Mustafa. Ish-Kryeministrit Isa Mustafa, megjithatë, iu deshën vetëm tri orë për t’i përmbysur kalkulimet e pista dhe meskine të “inteligjentit” dhe “gjarprit”, duke çuar një herë e përgjithmonë në shuarjen e apetitit të Kadri Veselit për tu bërë ndonjëherë kryeministër. Nga frika e paniku i mbetjes tërësisht jashtë “loje”, dhe me qëllim të zvarritjes dhe mbetjes brenda qeverisjes në cilëndo formë apo kapacitet, Kadri Veseli keqpërdori fiksimin patologjik të Ramush Hradinajt pas pozitës së kryeministrit për të vazhduar jetën e tij pushtetare. I njohuri si ”tyxhari me letra”, ai po ashtu luajti një rol vendimtar në këtë mes përmes partisë së tij private, së cilës iu mundësua një përfitim politik deri më tani i paparë në skenën politike kosovare, dy deputetë për katër ministri, edhe pse fillimisht i ishin premtuar pesë.

 

I gjithë ky manovrim, pra, rrinë prapa ndërtimit të kësaj qeverie jofunksionale që nga fillimi, e cila, sikur kjo të mos mjaftonte, ka rrëshqitur në vazhdimësi nga një krizë në tjetrën dhe nga një dështim në tjetrin. Pyetja nëse Qeveria Haradinaj është në krizë merr përgjigje të lehtë: ajo është vetë produkt i krizës dhe kriza do të vazhdoj të jetë thelbi dhe kredoja e saj deri në fund. Këtë e dinë fare mirë e gjithë ajo shumësi e partive politike të këtij koalicioni obskurantist qeverisës, gjë që duket nga përpjekjet e tyre në vazhdim  për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, pa marrë parasysh nëse një gjë e tillë është në interesin e përgjithshëm nacional. Thënë me fjalë tjera, kanë bërë çdo gjë për të ardhur në pushtet dhe po bëjnë e do të vazhdojnë të bëjnë shumëfishin e përpjekjeve tjera për të qëndruar aty ku janë.

 

Ashtu siç e kam theksuar edhe më herët, Kosova po hyn në një fazë shumë të rëndësishme të shtetndërtimit të saj. Kjo fazë tanimë ka nisur me plot të drejtë të cilësohet si faza e rrumbullaksimit të dialogut me Beogradin, që pritet të rezultojë me arritjen e një “marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme”. Ky dialog dhe kjo marrëveshje duhet në të njëjtën kohë t’i hapin rrugë vendit tonë të ri në drejtim të integrimit të përshpejtuar në familjen e demokracive të avancuara perëndimore, përkatësisht në strukturat evro-atlantike. Miqtë ndërkombëtar kanë treguar në vazhdimësi një gatishmëri për këtë hap të rëndësishëm. Serbia gjithashtu po japë sinjale pozitive. Ne kemi ngelur, siç thotë populli, “në fund të pusit” dhe pa pikë shprese se këtë fazë do të mund ta përballojmë me sukses. Kjo shpërfaqet edhe më hapur nëse kihet parasysh fakti se Qeveria Haradinaj nuk po tregon as kapacitet e as vullnet për tu marrë seriozisht me këtë proces, në ndërkohë që mbijetesa e saj varet në tërësi nga disponimi i opozitës ndaj këtij procesi, Listës Serbe dhe Beogradit.

 

Nuk guxojmë assesi të lejojmë që Qeveria Haradinaj të vazhdoj lojën e saj prej adoleshentësh, duke konstatuar se nuk çon peshë fakti që nuk i ka votat pasi as opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar. Është kohë shumë me rëndësi dhe situatë tej mase serioze që e bën luks rrëshqitjen tonë në një jo-seriozitet të tillë dhe kurthim në një vorbull pa dalje, në ndërkohë që rreth nesh po zhvillohen procese dhe ngjarje të rëndësisë së jashtëzakonshme nacionale. Nuk mund t’i zgjatet jeta kësaj qeverie vetëm për hir të interesave të ngushta individuale e grupore. Me këtë qeveri vështirë se mund të ndërtohet diçka e mirë dhe produktive në ndeshjen tonë finale me Serbinë.

 

Dhe krejt në fund, në sistemin e republikës parlamentare, qeveria nuk mund dhe nuk guxon të funksionoj e shkëputur nga parlamenti. Përkundrazi, po të ishim një vend i civilizuar e me frymë të shëndoshë demokratike, qeveria do të jepte dorëheqje në momentin e humbjes së shumicës parlamentare, e jo të rrahin gjoks mburravecësh se nuk mund t’i rrëzojë opozita. Qeveria Haradinaj është padyshim në krizë të pakthyeshme dhe do të duhej të tërhiqej sa më parë, përndryshe mund të na tërhjekë të gjithëve në greminën e vet. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë opozita duhet të bëjë të pamundurën për ta larguar sa më parë këtë qeveri të mbrapsht dhe plangëprishëse. Nëse kjo qeveri lejohet të vazhdojë më këtë trend, dialogu do të kryhet nën presion sikur rasti i demarkacionit, situatë e vetme në të cilën kjo qeveri duket se din të notojë: politika e aktit të kryer, me sa duket, përbën brendin e këtyre që sot janë në pushtet. Të veprojmë tani për ta penguar realizimin e politikës së aktit të kryer edhe në këtë proces jetik të dilaogimit me Serbinë.

 

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400