Prokurori i Përgjithshëm, prova që ‘kompromenton’ Reformën

13:13 / E hëne, 11 Dhjetor 2017

 

Nga Ylli Manjani
Ajo që pritej ndodhi! Ligjërisht Shqipëria është pa Prokuror të Përgjithshëm. Prokurorit aktual i ka mbaruar mandati që e gëzonte sipas Kushtetutës!

Ligjet e reja nuk përcaktojnë asgjë se si zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm në kushtet kur: vetting ska përfunduar dhe, KLP që të konstatojë largimin e këtij që është dhe të propozojë të riun, nuk ka.

Nenet tranzitore si të Kushtetutës ashtu dhe të ligjit mbi Prokurorinë tashmë kanë skaduar. Këto nene përcaktonin vetëm rastin se si zëvendësohet “përkohësisht” Prokurori i Përgjithshëm, nëse nuk do kalonte Vetting.

Nuk ka asnjë përcaktim tjetër ligjor për “prokurorin e përkohshëm”! Cilido që shpik interpretime të ndryshme nga sa përcaktojnë ligjet, është faqezi ose i pafytyrë!

E përsëris: asnjë nen, paragraf apo rrjesht ligjor nuk përcakton mundësinë e zgjedhjes së “Prokurorit të Përkohshëm” në kushtet kur: Prokurorit aktual i mbaron mandati rregullisht dhe KLP nuk ekziston!!! Asnjë!

As neni 109.2 i ligjit të Prokurorisë, tek i cili kapet fort Rilindja! Është fije bari tashmë ai nen. Është këputur tashmë.

Çdo gjë tjetër është shpikje! Përfshi këtu edhe zgjedhjen me shumicë të thjeshtë! Kjo është poshtërsi kushtetuese!

Mesa duket ligj hartuesit kanë pritur largimin e parakohshëm të Adriatik Llallës. Ky ka qenë në gakt “halli” i hartuesve të ligjit! Të heqin drejtuesit aktualë! Por nuk patën asnjë minimum kurajo ta pranonin burrërisht. Bënë shpikje e racionalizime të tilla ligjore sepse ishin të sigurtë që me Vetting do ti hiqnin shpejt!

Ndaj nuk e parashikuan dot mbarimin normal të mandatit nga ana e tij! Skishin se si sepse ishin të verbuar nga mllefi ndaj personave!

Kjo është njëra prej provave të forta që kompromenton Reformën. Shkrimi i ligjeve për largim personash dhe për të përmirësuar shërbimin!!!

Sa keq! I kisha ngritur këto çështje të gjitha, por nuk dëgjonin! I ngrita me guxim ndonëse ishte risku qê etiketoheshe si “anti-reformë”!

Ja ku e kanë reformën! Futën shtetin në kolaps të jashtzakonshëm kushtetues!

Tani zgjidhja duhet të kërkohet tek ligji dhe jo tek formulat politike. Ose Kuvendi duhet te nxitojë të krijojë KLP ( kuptohet pas vetting); ose duhet ndryshuar ligji me dakortësinë e të gjithëve, që të zgjidhet kjo situatë!

Ndërkohë Prokurori që është nuk mund të braktisë detyrën deri sa ti vijë zëvendësuesi! Parimi i vazhdueshmërisë së institucikneve është në themel të Konstitucionalizmit!

Nuk lihet institucioni pa drejtim, se Kuvendi është qorrollepsur në drejtim të paditur!

Zgjidhje të tjera janë kinezeria të revolucionit kulturor!

Ne kemi nevojë të kthehemi tek Republika Kushtetuese. E kësaj Kushtetute që është në fuqi!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400