Pse e kemi humbur luftën kundër dukurisë së narkomanisë?

00:10 / E mërkure, 27 Qershor 2018

 

Shkruajnë : Prof.dr.sci. Sylen Vranica & Mr.sci. Pervin Rushiti Vranica

26 Qershori është Dita Ndërkombëtare e luftës kundër dukurisë së narkomanisë. Në mbarë botën, në këtë datë, mbahen ligjërata të ndryshme me qëllim të njoftimit të opinionit të gjerë me pasojat negative të vetë dukurisë së narkomanisë dhe të ngritjes së nivelit të vetëdijes për pengimin dhe luftimin e kësaj problematike? Siç dihet, nga të dhënat e ndryshme, mbi 200 milionë persona një herë në jetë e provojnë substancën narkotike, prej tyre 25 milionë janë të varur qoftë në mënyrë fizike apo psiqike, ndërsa 200.000 persona, vdesin për çdo vit si pasojë e konsumimit të lëndëve narkotike! Edhe përkundër ligjëratave të ndryshme në këtë aspekt si edhe të trajtimit të tyre mjekësor, prapë se prapë, numri i konsumuesve të substancave narkotike vjen duke u ngritur!? Ndaj shtrohet pyetja, pse gjendja është e tillë, diçka nuk është në rregull!? Duke u marrë për vite të tëra me këta persona të pafat, deri diku, do të mundohemi të përgjigjemi në këtë pyetje të parashtruar. Para luftës së fundit, në kohën e sistemit komunist, konsumuesit e substancave narkotike trajtoheshin dhe mjekoheshin fshehtas në ente të ndryshme mjekësore. Në asnjë mënyrë, ata pas trajtimit, nuk lëshoheshin me diagnozë të personit narkoman, duhej trilluar tjetër diagnozë, por jo e sakta dhe ajo faktike! Kjo bëhej me qëllim që të prezantohej sistemi i tillë si një sistem pa devijime të ndryshme shoqërore, si një sistem “shembull” se si do të duhej të jetë një shoqëri, duke i mbyllur sytë para të vërtetës. Problem tjetër është se në sferën e dukurisë së narkomanisë dukshëm më shumë janë në lojë mjetet financiare të përfituesëve të shitjes së mjeteve narkotike, ata sigurisht që për interesat e tyre gjejnë rrugë të ndryshme për të depërtuar më lehtë deri te konsumuesit sa më të rinj, që manipulohen lehtë. Informimi i vazhdueshëm, permanent i të rinjve në shkolla, duhet të jetë i saktë dhe i gjërë për të gjitha llojet e substancave narkotike, një nga një, dhe dëmet e tyre, shkallën e varshmërisë të secilës në veçanti, dhe jo në përgjithësi, sepse po që se flasim në përgjithësi, që të gjitha drogat janë njëlloj të dëmshme, atëherë, një të riu, i bie se njëjtë është të fillojë nga një substancë narkotike më potente dhe rrjedhimisht më vështirë të mjekueshme. Problem tjetër është se personat narkomanë vështirë e kanë të rikthehen në jetën e rëndomtë të përditshmërisë, për shkak të varësisë fizike, sidomos asaj psikike. Në klinikën e psikiatrisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, ekziston reparti për trajtimin e këtyre personave, por për shkak të kushteve ekzistuese dhe jo të mjaftueshme, aty bëhet vetëm detoksifikimi por jo edhe rehabilitimi i gjatë social, kundër dukurisë së varshmërisë sidomos psikike, e cila kërkon, durim, sakrificë, Personat narkomanë në mënyrë vetanake tejet në përqindje të vogël kërkojnë trajtim të mirëfilltë mjekësor, shumica e tyre shkojnë të trajtohen për t’ia plotësuar dëshirën prindërve, përcjellësve të ndryshëm, mjekut trajtues, etj! Në pyetjen e parashtruar narkomanëve, pse konsumojnë substanca narkotike, shumica e tyre, në mos të gjithë, theksojnë se “a mos ka kjo shoqëri diç më të mençur të na ofrojë, kështuqë, duke konsumuar substanca narkotike, bile, po mashtrohemi se gjoja po jetojmë jetën pa brenga të përditshmërisë”!? Në kohë të fundit, shumë shtete nisin ta legalizojnë konsumimin e një ndër substancave më të përdorura narkotike — kanabisit(marihuana), kështu që, për një nijansë, tehu i kritikës ndaj vetë dukurisë, vie duke u topitur! Si përfundim, mund të theksojmë se ligjëratat dhe ngritja e vetëdijes në këtë drejtim në mënyrë permanente dhe të vazhdueshme, jo vetëm në ditën e 26 Qershorit, të të rinjve dhe popullatës në përgjithsi, janë të mirëseardhura. Do të duhej të ketë bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve shtetërore në mënyrë që të zvogëlohet qasja ndaj substancave narkotike, të ndalohet prodhimi i tyre si edhe distribuimi dhe kontrabanda, ndërsa prevenca, pengimi, luftimi, i kësaj dukurie të jetë më efektive. Sepse,“Jeta është një dhuratë që vetëm një herë dhurohet, jetojeni në mënyrë kualitative, shijojeni atë dhe vlerësojeni lartë, si diçka të papërsëritshme” (P.R.Vranica).

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400