Pse taksë për Rrugën e Kombit dhe jo për superstradën Tiranë-Durrës!

11:56 / E martë, 06 Shkurt 2018

 

Nga Enver Bytyçi

Në Kalimash po merr formë ndërtimi i pikës së kontroll-pagesave për Rrugën e Kombit! Kushdo që kalon aty sheh sesi është konstruktuar ky pikëndalim-pagese për çdokënd që hyn dhe del nga Rruga e Kombit. Secili drejtues mjeti së shpejti do të paguajë 5 euro në shkuarje e 5 të tjera në kthim. Por askush nuk reagon! Për çudinë e çudive Bashkia e Kukësit hesht! Opozita në Kukës hesht! Opozita shqiptare hesht! Kukësianët gjithashtu heshtin! Heshtin edhe pse taksa e Rrugës së Kombit është një diskriminim i papranueshëm, jo vetëm një masë që varfëron edhe më tej njerëzit më të varfër të Shqipërisë e të Europës, kukësianët! Eshtë taksë diskriminuese, sepse më parë se të vendosej taksë për Rrugën e Kombit do të duhet të vendosej kjo taksë për superstradën Tiranë-Durrës! Sepse kjo superstradë është ndërtuar 15 vjet para Rrugës së Kombit. Pagesa për Rrugën e Kombit dhe mospagesa për atë Tiranë-Durrës është një vendim politik. Si i tillë taksa duhet kundërshtuar me forcë e me të gjitha mjetet. Eshtë vendim politik, sepse qeveria e rilindjes i trajton votuesit kukësianë si votues të Partisë Demokratike, ndërkohë që votuesit e Tiranës i trajton si të priveligjuarit e saj! Ky vendim politik thellon diskriminimin e shqiptarëve. Kukësianët edhe pa taksën e Rrugës së Kombit janë të diskriminuar dhe trajtohen si “qytetarë të dorës së dytë”! Gati jetojnë në geto. Taksa do t’i vendosë ata në Karantinë. Në të vërtetë Edi Rama e kishte paralajmëruar që për kukësianët do të vinte viza që ata të vinin në Tiranë. Paraardhësit e Edi Ramës kishin përgatitur madje një projekt, sipas të cilit Kukësi, Hasi dhe Tropoja t’i bashkëngjiten Kosovës, ndërkohë që veriu i Kosovës t’i bashkëngjitej Serbisë. Kjo zgjidhje e propozuar më 1998 për komunitetin ndërkombëtar i thotë të gjitha. Edi Rama thjesht ka guximin që t’i bëjë realitet projektet e përçarjes kombëtare. Taksa e Rrugës së Kombit është kosto financiare për banorët e zonës, është taksë politike dhe ndëshkim për votën kundër rilindjes, është taksë e ndëshkimit krahinor bazuar në urrejtjen e Edi Ramës, Gramoz Ruçit dhe kupolës së rilindjes për “shpellarët”, “alpinët”, ‘malokët”, njerëzit që janë mësuar të jetojnë në liri edhe kur Shqipëria ishte e rrethuar nga telat me gjemba, roje të së cilës ishin paraardhësit e rilindasve tanë! Për të gjitha këto arësye qytetarët kukësianë dhe të malësisë duhet të protestojnë dhe të mos pranojnë asnjë lloj takse për Rrugën e Kombit, sa kohë që kjo taksë nuk vendoset për rrugë të tjera të ndërtuara shumë kohë para saj! Të protestojnë dhe të ndalojnë zbatimin e këtij projekti varfërues, diskrimunues e poshtërues të njerëzve që lirinë dhe Zotin i kanë të shenjta. Të protestojnë dhe për gjithë ato pasuri ujore e nëntokësore që shteti ua grabit pa ju dhënë asnjë grosh mbrapsht! Të protestojnë dhe për investimet diskriminuese që qeveria e rilindjes bën në këto zona! Të protestojnë dhe t’i tregojnë vendin bandës së krimit që ushtron dhunë diskriminuese deri në aparteid ndaj qytetarëve të saj!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400