Rusi, propagandë përmes blerjes së gazetave europiane

19:25 / E hëne, 11 Dhjetor 2017

 

Nga Matteo Zola

Strategjia ruse për të ndikuar opinionin publik perëndimor, realizohet gjithashtu edhe nëpërmjet blerjes së gazetave të rëndësishme evropiane. Dy dekadat e fundit, oligarkë rusë pranë Kremlinit, kanë blerë aksione të rëndësishme të asaj që në kohën e sovjetikëve, do të quhet “shtypi borgjez”: “France Soir”, “The Independent”, “Evening Standard”, janë shembujt më të mirë të njohur.

“France Soir” dhe bankieri i Putinit

“France Soir”, është një gazetë popullore franceze. E themeluar në vitin 1944, ajo pati ditët e veta të lavdisshme në vitet 1960, kur shiste më shumë se 1 milionë kopje në ditë. Në fundin e vitit 2008, shitjet shënonin nivelin më të ulët historik, vetëm 23.000 kopje në ditë.

Pikërisht në atë kohë “Sablon International”, një kompani e regjistruar në Luksemburg, dhe pronare e 19.9 përqind ​​të aksioneve të gazetës, bëri një ofertë për të rritur pjesën e saj në 85 përqind. Në janarin e vitit 2009, Gjykata e Lilës, që kishte juridiksion mbi rastin, i hapi dritën jeshile këtij operacioni, dhe Aleksandër Pugaçev, djali i oligarkut të fuqishëm rus, Sergei Pugaçev, u bë pronari i gazetës.

Sergej Pugaçev, kishte në atë kohë një pasuri që sipas “Forbes”, vlerësohej
në 2 miliardë dollarë. Pronar i Mezhprombank në Moskë, Pugaçev ishte i njohur ndryshe si ”bankieri i Putinit”, ishte arkitekti në vitin 2009, i marrëveshjes ndërmjet Parisit dhe Moskës për shitjen e 4 aeroplanmbajtëseve franceze, dy prej të cilave do të modifikoheshin në kantierin detar që zotëronte vetë Pugaçev në Shën Petersburg.

Brenda pak muajsh, Pugaçev e transformoi “France Soir” në një tabloid sipas modelit britanik të gazetës “The Sun”, duke rritur ndjeshëm numrin e kopjeve të shitura, plot 87 mijë në vitin 2010, përmes fushatave të shtypit rozë, nga të cilat e pësuan me tepër politikanët e Partisë Socialiste franceze.
Në vitin 2011, gjatë një interviste televizive, Aleksandër Pugaçev shprehu simpatinë e tij të hapur për Marinë Lë Pen. Nga ai moment “France Soir”, u angazhua tërësisht në përhapjen e ideologjisë së Frontit Kombëtar. Nuk është rastësi që “lidhja e rrezikshme” mes Lë Pen dhe Vladimir Putin, hodhi rrënjë pikërisht atëhere.

Kurba rritëse e “France Soir”, pësoi një rënie fatale në vitin 2012, kur një ulje drastike e shitjeve e detyroi Pugaçev të shpallte falimentin. Fati i keq e ndoqi edhe vetë oligarkun:i shkarkuar nga detyra nga Vladimir Putin, do të akuzohet nga drejtësia për korrupsion dhe keqdrejtim të bankës Mezhprombank, që shkoi drejt falimentimit, dhe në marsin e vitit 2017, do
të kërkohet ekstradimi i tij në Rusi.

Gjysmë-disidenti Lebedev dhe e përditshmja britanike “The Indipendent”

Aleksandër Lebedev, ka qenë një agjent i KGB-së ruse, përpara se të grumbullonte, në vitet e hershme të liberalizimit të tregut rus, një pasuri prej 3 miliardë dollarësh, duke u bërë një nga oligarkët më të shquar në vend.

Në janarin e vitit 2009, Lebedev, tashmë pronar – së bashku me Mikail Gorbaçov, i gazetës ruse “Novaya Gazeta”, blen të përditshmen e mirënjohur londoneze “Evening Standard” për çmimin simbolik 1 paund. Një operacion, të cilin gazeta “The Guardian” e quajti “befasues”, duke nënvizuar faktin se “për herë të parë në histori, një agjent sekret i huaj, u bë pronar i një gazete britanike”.

Lebedev u prezantua si një oligark “opozitar”, duke sjellë si dëshmi vokacionin e tij demokratik, dhe përvojën si pronar i “Novaya Gazeta”, ku shkruante edhe gazetarja opozitare ruse, Ana Politkovskaja, që u vra në rrethana misterioze.

Sidoqoftë, është disi i dyshimtë fakti që “Novaya Gazeta”, është e vetmja gazetë e pavarur që ka mbetur në një Rusi, që sistematikisht censuron çdo zë kritik. Regjimi rus, si në çdo autoritarizëm konkurrues, ka nevojë për një opozitë formale, që gjithësesi është e pjesë e sistemit qeveritar.
Nuk është rastësi që ishte pikërisht Lebedev (dhe është ende) pronar i aksioneve në shumë kompani shtetërore ruse, nga Gazprom tek Aeroflot: kompani strategjike për Rusinë, tek të cilat nuk mund të ishte pjesë asnjë kundërshtar i vërtetë i Putinit.

Lebedev, ishte gjithashtu kumbari politik i Aleksej Navalnit, “blogeristit”
që sot përfaqëson disidencën ruse nëpër botë, duke ndihmuar atë në vitin 2012 të bëhet pjesë e bordit drejtues të “Aeroflot”.

Kur në vitin 2010, oligarku bleu edhe gazetën britanike “The Independent”, bota gazetareske britanike reagoi ashpër. Luka Harding, korrespondenti veteran i “The Guardian” në Moskë, shkroi:”Lebedev fle në të njëjtin shtrat me Kremlinin”, si për të thënë se “krevati” i Putinit, ishte mjaftueshëm i madh për të gjithë.

Në vitin 2012, erdhi konfirmimi zyrtar i bashkëpunimit ndërmjet Putinit dhe Lebedev:gjatë zgjedhjeve presidenciale, oligarku financoi Frontin Popullor, partia me të cilën Putini “sfidoi” (dhe fitoi) establishmetin politik rus, të tubuar tek Rusia e Bashkuar, dhe të cilën e vuri në diskutim.

Nëpërmjet “The Indipendent” dhe “Evening Standard”, Lebedev u angazhua për të mbrojtur Kremlinin gjatë krizës së Ukrainës:pa rënë asnjëherë në një retorikë propagandistike të llojit “Sputnik”, “The Independent” e pozicionoi veten si një zë të vetmuar jashtë korit perëndimor, duke fituar favoret e tyre që në Mbretërinë e Bashkuar nuk e vlerësonin ndërhyrjen e supozuar të Perëndimit në oborrin rus.

Duke u rreshtuar me interesat e Kremlinit, oligarku disident, shprehu përkatësinë e vet ndaj atij sistemi pushteti, duke treguar se si pavarësia në gazetën e tij qëndronte vetëm tek titull, dhe jo në raportimin e fakteve.

Devijimet në Ukrainë, Firtash dhe sulmet ndaj Euroneës

Televizioni Euronews, është një kanal shumëgjuhësh evropian, që transmeton në 13 gjuhë të botës, me qendër në Lion të Francës, financuar nga transmetuesit kombëtarë dhe Bashkimi Evropian. Aty merr pjesë edhe RTR, televizioni shtetëror rus.

Sipas disa vëzhguesve, përmes aksioneve të tij, Kremlini synon të ndikojë tek ky televizion. Megjithatë ajo që e kërcënoi pavarësinë e Euronews nuk ishte Kremlini, të paktën jo drejtpërsëdrejti, por oligraku urkainas, Dmytro Firtash, i lidhur me mafian, i arrestuar më parë për korrupsion në Vjenë, një njeri i afërt me Kremlinin, por edhe me presidentin ukrainas Poroshenko, i cili në vitin 2015 – nëpërmjet grupit të tij mediatik Inter Media Group ( IMG) – nënshkroi një marrëveshje milionere me transmetuesin evropian.

Një lëvizje që nuk i pëlqen Kievit, dhe që errëson frekuencat e Euronews në vend, duke e akuzuar Firtash se po kërkon të përdorë këtë kanal televiziv për t’i dhënë zë propagandës së Kremlinit. Historia, me zhvillime të paqarta, zgjidhet në vitin 2017, me kërkesën e ekstradimit të oligarkut ukrainas në Shtetet e Bashkuara, të cilat e akuzojnë atë për korrupsion.

Marrëveshja me oligarkun Firtash, ishte nga ana e Euronews, një përpjekje e dëshpëruar për të shmangur krizën e cila në vitin 2016, do të godiste këtë media, duke e detyruar të bënte shkurtime drastike në stafin e vet. Kriza e “Euronews”, i hapi rrugën depërtimit të interesave të oligarkëve pranë Kremlinit. (“East Journal”)

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400