Rusia në Kosovë –kërcënim që s’po e kuptojmë

18:08 / E premte, 04 Maj 2018

 

Shkruan Faton Abdullahu

Sikur prania e Federatës Ruse në Ballkan ta rrezikonte katë rajon për aq sa ajo është e fortë, në krahasim me forcat e botës perëndimore, ne sot nuk do të duhej të shqetsohemi shumë. Rusia në aspektin ekonomik dhe ushtarak, edhe pse është fuqi e madhe,  është më e dobët se SHBA-t dhe larg më e dobët se koalicioni perëndimor, i cili qysh se dihet për rivalitetin, Perëndim  – Lindje, kurrë nuk ka qenë gjeopolitikisht më i shtrirë se tani në Ballkan. Por kjo gjeopolitikë dhe ky rivalitet janë më të ndërlikuara se kaq. Strategjia dhe taktikat e involvimit të Rusisë në një rajon, apo vend, për ta shtrirë ndikimin, për të cilin ajo merr vendim dhe e kualifikon se është e interesit të saj nacional, shquhen me disa karakteristika të cilat, shpesh janë të  vrazhtta e edhe më shpesh për paqen shumë kërcënuese.  Edhe sot gjeopolitika e Rusisë, është reflektim i politikës së brendshme autoritare dhe antidemokratike.  Aktet e vrasjeve të pushtetarëve rival antirus gjithandej në shtete të ndryshme, kindapimet e biznesmenëve, kërcënimet e shantazhet të politikanëve të padëgjueshëm, organizimet e grushtsheteve, stimulimet e përçarjeve, janë disa nga ato. Po të kësaj natyre mbesin edhe ato më të zakonshmet  investimet në propaganda mediale, sponzorizimi intelektual antiuesternist, investimet në segmente të caktuara sigurie, e shumë të tjera të kësaj natyre.

Tasha sa kohë, Rusia në Ballkan dhe përgjithësisht në Evropën Lindore, kurrë nuk ka qenë më e dobët në krahasim me perëndimin. Por si duket kësaj politike e përceptuar si disfatistenga ajo,  Moska zyrtare i ka dhënë fund e bindur se nuk duhet të dorzohet, por duhet të rikthehet dhe për këtë të bëj diçka. Kjo diçka e Rusisë sot shihet shpëluar më së miri në Ballkan.

Për aq sa BE nuk e shtynë para agjendën e zgjerimit në Ballkan dhe bëhet zhgënjyese me politikat hezituese tek vendet e rajonit tonë dhe për aq sa SHBA-t nuk e kanë prioritet tash sa kohë Ballkanin, involvimit të Rusisë po i krijohet hapësira e përshtatshme dhe ajo pa hezitim po e shfrytëzon këtë. Kjo është parë në Mal të Zi, jo zakonshëm, por në stilin rus, me përpjekjen për grushtshtet por edhe në Maqedoni me stimulimin e përçarjes dhe ndihmës e madhe përmes një lufte speciale dhënë forcave nacionaliste maqedone. Kurse ky involvim në Serbi, është larg më e shprehur dhe mirë e njohur, me raporte të shkëlqyera ekonomike politike, kulturore dhe ekonomike, me Qendrën të ashtuquajtur humanitare në Nish, me shitjen dhe faljen e armëve, me ushtrime të përbashkëta ushtarake dhe me shumë elementë të tjerë të kësaj natyre. Nëse Rusët kanë shtuar ndikimin në Ballkan, me metodat e tyre të njohura, a ka vend për tu brengosur për ndikimin e tyre në Kosovë?

  • A duhet të jemi kundër Erdoganit që t’i ndalim rusët?

Nëse Ankaraja zyrtare gjithnjë e më shumë po ndahet deri në prishje të raporteve më perendimorët a mund rrjedhimisht të ketë marrëveshje që turqit dhe rusët t’i shtrijnë së bashku interesat e tyre në Ballkan e rrjedhimisht edhe në Kosovë. Ka indicije për një mundësi të tillë gjeopolitike, sado që tani për tani nuk mund të flitet me shumë fakte për një bashkëpunim të kësaj natyre të kësaj aleance të re ruso-turke. Të dyja këto shtete janë autoritare, me përqëndrim të madh të pushtetit në një lider dhe me politika të riaktivizuara për shtrirje të interesave të tyre nacionale atje ku i tundon edhe interesi financiar edhe trashëgimia dhe lidhjet kulturore, fetare e historike, pra në Ballkan. Ajo çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt ndërmjet Turqisë dhe Rusisë dhe cila do të jetë e ardhmja e Ankaras zyrtare me SHBA-t, do ta formësoj edhe involvimin e këtyre shteteve në Ballkan. Neve na mbetet që ta përcjellim këtë zhvillim dhe të reagojmë në përpjestim të drejtë me nevojën e interesave të vendin tonë.

  • A tundohen rusët nga rritja e majtizmit në Kosovë ?

Aty ku ka antiamerikanizëm rusët mund të tundohen duke shpresuar se mund të jenë alternativë politike. Zor e besueshme se kjo mund të ndodh në Kosovë. Mirëpo është jashtë çdo dyshimi se majtizmi në Kosovë është në rritje tash sa kohë dhe ka rritje edhe të një dimensioni të saj ekstremist. Majtizmi ekstremist në Kosovë ka dy karakteristika vdekjeprurëse. E para është se për ngecje të ndryshme të shtetndërtimit në Kosovë (për ngecje në zhvillim, për pasje të korrupsionit, për mos anëtarësim në OKB ,në BE, për mos pasje të ushtrisë e për shumë mangësi të tjera) fajsohen shumë perëndimorët, sidomos  amerikanët. E dyta është flirti i tyre me islamin politik në Kosovë. Ky flirt është aktiv tash sa kohë. E përbashkëta e këtyre dy rymave majtizmit ekstrem dhe islamit politik është antiamerikanizmi. Këto janë premisa të mira për të shtruar terren të përshtatshëm, ku rusët mund të shpresojnë për të hedhur farën e tyre gjeopolitike. Në aspektin historik kjo nuk është risi por do të ishte përsëritje.

  • A është antiamerikanizmi i islamit politik në Kosovë pro rus ?

Islami politik në Kosovë është anti-uestern dhe sidomos anti-amerikan. E çuditshme dhe vështirë e kuptueshme për mendjen e shëndosh shqiptare, por ai është i tillë për aq sa nga ky koncept është i përjashtuar apo riinterpretar shqiptarizma. Ai nuk mund të thuhet se sot është pro rus, por nëse ndodh që të nisen sot ose nesër nga logjika ‘armiku i armikut tim është miku im’ atëherë islami politik në Kosovë më parë bëhet pro-rus, se që bëhet pro-amerkan. Gjithnjë është , përderisa bota perëndimore, konkretisht SHBA-t, përceptohet se nuk kanë të drejtë në konflikte e luftra të vazhdueshme me shumë vende të botës arabo-islame pa përjashtuar edhe ato të cilat e përkrahin dhe financojnë islamin politik dhe terrorizmin. Çdo përpjekje për shtrirje dhe ndikim të rusëve në Kosovë, mund të shpresoj ta bëj këtë me këtë rymë politike.

Thënë përmbledhtazi, kërcënimi i Kosovës nga Federata Ruse sot nuk është bllof. Përkundrazi. Deri sa Serbia nuk do të jetë plotësisht pjesë e BE-së, rreziku i Kosovës nga involvimi i këtij shteti destruktiv, asnjëherë nuk do të mund të ndalet. Në anën tjetër, për aq sa Brukseli zyrtar, ka mirëkuptim të tepruar ndaj Serbisë, edhe kur ajo nuk e meriton aspak këtë trajtim, për aq mund ta pësoj Kosova, pos tjerash, jo vetëm tërthorazi edhe nga Rusia. Ky pësim i Kosovës nga rusët, në rend të parë mund të aktivizohet shpejt dhe papritur në ndërlidhje me këto tre karakteristika që i përmenda më sipër. Prandaj rikthimi më i madh i vëmendjes politike të SHBA-s në Ballkan, rrjedhimisht edhe në Kosovë, është i domosdoshëm, sidoms kur dihet se tashmë Rusia nuk po e fsheh involvimin e saj në këtë rajon, të cilin e konsideron se e ka humbur pa të drejtë, e bindur se edhe e ka të drejtën të rikthehet.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400