Rexhep Hoti

Serbia, Kosova, Sanxhaku dhe tri komuna

21:32 / E premte, 17 Gusht 2018

1.
Është folur e është shkruar mjaft mbi pjesën veriore të vendit, ku shtrihen fshatrat me popullatë serbe të Republikës së Kosovës dhe gjysma e qytetit të Mitrovicës, ku tri prej katundeve kryesore të kësaj ane, për arsye strategjike të Serbisë, u shndërruan në komuna. Është shkruar mbi kronologjinë e historikut të saj si një zonë që mban peshë të veçantë për pasuri natyrore (Liqeni i Ujmanit, miniera); për projektimet e ndryshme e të shumanshme të Serbisë me këtë pjesë.

Nuk është lënë anash as mëkati i drejtuesve të UÇK-së se, përse nuk e shtriu lirinë e Kosovës në atë anë. Natyrisht, vend i veçantë zë edhe këndvështrimi mbi ndarjen e hapësirave ku janë vendosur forcat e NATO-s në Kosovë, mbi këmbënguljen franceze për të qenë në atë pjesë ku ishte “planifikuar” rezervuari për serbët që do të iknin pas kapitullimit të Serbisë në Kosovë.

Mbi ushtarakë të UÇK-së e të huaj “që e kanë ndarë Mitrovicën” u shkruan edhe monografi. Po nuk kanë mbetur anash as fabulat groteske për parandalimet e errëta të qytetit prej atyre që nuk mund të shkonin as këmbë në veri, ndonëse shtëpitë i kishin matanë Ibrit. Të bukura janë rrëfimet e Luftës së Dytë Botërore në gojëdhënat e kësaj ane se, “herë do kurdo”, deri ku do ta qesë Serbia kufirin me Kosovën.

Fjalët prozhmuese mbi këtë çështje janë pjesa boshtore, por ato duket se do të mbesin të tilla, nga të dyja anët, edhe kur të ketë zënë vend kjo çështje.

Mirëpo, kryestrategjia e Serbisë në lidhje me këtë pjesë ndërlidhet realisht me shkëputjen e lidhjes përfundimtare të shqiptarëve me shqiptarë, pra të Kosovës me Sanxhakun.

Ky projektim nacional serb bëhet jo vetëm i vërtetë, por me gjenocidin në Srebrenicë, që ushtroi shteti serb, e vërteta e projektuar bëhet e gjallë. Serbia me çdo kusht dëshiron t’i mbyllë korridoret e portat me Kosovën dhe me shqiptarët dhe këtu është vetëm fillimi.

2.

Sapo fillon të flitet seriozisht mbi relacionet e ardhshme për “normalizim” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, agjenda e diplomacisë botërore regjistron me përkujdesjeje të shtuar e herë-herë më shqetësim, ngjarjet e këtilla nëpër kancelaritë e tyre. Jo vetëm kaq. Ato, në varësi të avancimit të kahes dhe mënyrës për zgjidhje të normalizimit Kosovë – Serbi, i nxisin edhe qëndrimet e tyre, qoftë të drejtpërdrejta, qoftë të nënkuptuara tërthorazi. Është e habitshme se sa shumë zënë hapësirë vendet e vogla si Kosova a Serbia kur kanë diçka për të thënë.

E vërteta është se deri më tash ka qenë e qartë përse pesha e tyre i ka rënduar aq thellë reflektimet në skenën botërore, kontinentale, rajonale e kombëtare.

Faktori i brendshëm i të dyja shteteve ka qenë lehtë i lexuar në rreshtimin e qëndrimeve që kishin për njëra-tjetrën. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për faktorin e jashtëm, i cili e ka pasur ndarjen e qartë ndërmjet Lindjes në krye me Rusinë dhe Kinën, në njërën anë, si dhe Perëndimit të Afërt e të Largët në krye me SHBA-në, në anën tjetër.

Por, a është duke ndryshuar, a është duke ndodhur diçka në kuadër të faktorëve në fjalë?!

Me pak vështrim mund të vihet re përqasja e re.

Për herë të parë ka qëndrime nga më të çuditshmet nga skena politike e Kosovës, sikurse ka edhe në Serbi ose te komuniteti serb dhe e kundërta. Afrimi i qëndrimeve ndërmjet spektrit politik shqiptar e serb në Kosovë është për t’u shënuar. Edhe shqiptarë, edhe serbë e duan Kosovën e pandarë, pa çka se serbët nuk e njohin as pavarësinë e saj, pa çka se shqiptarët rrezikojnë ta mbyllin rrugën e bashkimit.

Brenda faktorit politik shqiptar ka një aleancë të verbët kundër një personaliteti, e më pak ndaj çështjes. Të gjithë shkruajnë e flasin kundër presidentit Thaçi dhe në këtë kontekst i ofrojnë edhe qëndrimet mbi çështjet. Të ndërvarur nga veprime të tilla pak hapësirë i ka mbetur një angazhimi serioz institucional në kuadër të spektrit politik për t’i hartuar qartë strategjitë e Kosovës ndaj vetvetes, Serbisë, në lidhje me “dialogun” e faktorëve tjerë me peshë. Vetëm serbët që përbëjnë përfaqësimin zyrtar të Beogradit në Kosovë, – Lista Serbe, e kanë qëndrimin e prerë dhe koherent.

3.

I gjithë orteku i ri i befasishëm i politikës në Kosovë ka ardhur pasi administrata e presidentit Trump, siç sqaron Daniel Server, kishte shprehur gatishmërinë për t’i dëgjuar disa ide të palës serbe. Por, mbi këtë të vërtetë protokollare mund të vihet re se me rotacionin demokratik në Shtëpinë e Bardhë është tronditur përfundimisht Rendi i tashëm Botëror. Në kuadër të këtij trazimi botëror për një kohë të shpejtë ka filluar edhe «lufta» në konceptimin e ri të ekonomisë së tregut. Globalizmi s’e ka më natyrën e filozofisë që deri dje e kishte gjithashtu.

Përmasat e kësaj përplasjeje nuk shtrihen vetëm përmbi ndarjet klasike të rrugëve që i krijoi shekulli XX me Luftën e Ftohtë. Ajo ka hyrë tashmë pa mëshirë ndërmjet shteteve të mëdha dhe bashkësive së shteteve të ndryshme, si stinë e pestë e vitit.

Për këtë gjendje të re në Rendin Botëror ndihmë të konsiderueshme luajti mosgatishmëria e Bashkimit Evropian për të qëndruar bashkë me Britaninë, e cila kërkonte përjashtime të caktuara për vete. Dhe ndodhi Brexit, i cili është duke dhënë prova jo të mira për vetë britanikët, si dhe për BE-në kur bëhet fjalë për përballjen e saj me SHBA-në.

Çarjet tjera janë brenda Perëndimit të Afërt e të Largët. Politika e emigracionit në kuadër të BE-së pothuaj e rrëzoi gjigandin që garanton realisht funksionimin dhe ekzistencën e BE-së.

Por, mbi këto qëndron Përballja e Madhe e SHBA-së me të gjitha shtetet që kanë peshë në rruzullin tokësor, pavarësisht nga dallimet e qytetërimeve, të aleancave e interesave të deridjeshme. Këtu nuk është fjala më vetëm për një Muri Meksikan ose për një Marrëveshje me Korenë e Veriut. Ashtu sikurse nuk janë në pyetje vetëm politikat e tarifave doganore të SHBA-së a kritikat e ashpra ndaj politikës monetare kundrejt Kinës dhe Rusisë ose shteteve të Bashkimit Evropian.

Software Economy (Digital Economy) amerikane në të vërtetë është truri i gjithë ekonomisë botërore dhe duket se këtu qëndron edhe garanti i pathënë prej ekonomive të shteteve tjera të zhvilluara, pra, i të gjitha shteteve veç e veç, pa përjashtim. Kur gjithë kësaj ia shtojmë edhe filozofinë kontraktuale të presidentit të tashëm amerikan e jo filozofinë e parimeve të presidentëve të mëparshëm, atëherë parashikimet duken më një llogaridhënie të qartë ekonomike. Ashtu siç u bë çështje ekonomike, edhe vetë aleanca më e fuqishme ushtarake në botë sot, për arsye të investimeve jo të mjaftueshme prej shteteve që përfitojnë siguri e nuk investojnë në përpjesëtim me të. Kjo do të thotë se një masë e ashpër kundër SHBA-së është e vështirë e mendueshme, e lëre më e planifikuar prej atyre në bashkësi a veç e veç?!

Politika e Jashtme e SHBA-së është duke e treguar për herë të parë fuqishëm natyrën e vet mbi varësinë e interesave ekonomike dhe strategjike, jo vetëm ndaj shteteve që i shkelin të Drejtat e Njeriut, por edhe ndaj atyre që kanë demokraci të avancuar. Politika e thënies «shok, shok po kosi me pare», vlen për të gjithë te presidenti Trump.

4.

Pas Pranverës Arabe duket se është duke ndodhur edhe Pranvera e Perëndimit të Afërt e të Largët. Vetëm Rusia e Putinit duket të jetë e përgatitur për Kaosin e Bardhë të Rendit të Ri Botëror. Mbase natyra e saj është brenda llojit dhe ajo nuk e ka telashe t’i përshtatet kësaj gjendjeje. Më shumë sesa kaq, ajo është duke depërtuar fuqishëm në zona të dikurshme të pakontestuara të ndikimit të SHBA-së, gjersa ta bëjë vendin Gjigandi në rreshtimin e ri botëror. Madje ka arritur t’u shesë armatime edhe vetë shteteve anëtare të NATO-s. Në të njëjtën kohë, të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale me Kinën, me Indinë, me shtete arabe në krye me Iranin, të jetë hisenik i vyer e më peshë në Siri, të përkulë e të mbajë fuqishëm ekonominë turke dhe vetë Turqinë e Erdoganit, të cilën e gjunjëzoi vetëm me turizëm për një sezon. Por nuk është pa perspektivë as riafrimi i saj me SHBA-në dhe duket tashmë optimizmi për një fillim të ri të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në rrafshin e reflektimeve globale ka indikacione serioze që do të adaptohet heshtur aneksimi i Krimesë. Por kjo nuk është vetëm fillimi i shtrirjes së ndikimit rus mbi Ukrainën. Moska është duke ecur në rrugë të duhur që do t’i garantojë asaj edhe Ndarjen e Madhe në Ukrainë, për të krijuar atje disa ose një Republikë të Madhe Ruse të tipit të Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Dhe Ukraina do të mbetet gjatë vatër e Krizës brenda Evropës dhe kjo e fundit gjatë do të merret me të.

Me një fjalë, administrata e re amerikane është duke i vëzhguar të gjitha vatrat e krizave dhe raporti i marrëdhënieve të saj me Rusinë do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm edhe në hapësirat e Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk do të thotë se Kosova nuk do ta ketë edhe më tej mbështetjen e SHBA-së, por kjo do të thotë se zgjidhjet e kësaj epoke nuk kanë më natyrë të humanizmit në radhë të parë, si në kohën kur Kosova e fitoi lirinë e saj.

Vendimet e përtashme do ta kenë më tepër natyrën e menaxhimit të interesave në kuptimin e pragmatizmit ekonomik e jo mbi natyrën e parimeve. Sepse, vetë elementi boshtor i Rendit Botëror aktualisht është Kaosi i Bardhë e jo parimet klasike mbi të cilat janë avancuar gjer më tash rendet botërore.

Presidenti Trump duket se parapëlqen të valëvisë flamurin amerikan më me zell sesa paraardhësit e tij. Madje, ai parapëlqen, mbi të gjitha, të jetë vetë protagonisti kryesor i planetit së bashku me supershtetin, të cilin e drejton. Sikur shqiptarët t’i bashkonin mendjet dhe fuqitë që kanë, të jenë më të disiplinuar, përballë vetvetes dhe të tjerëve, do ta kenë suksesin në përmasa shumë të mëdha sesa mund të presin realisht.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400