Shqip-shqip

11:56 / E enjte, 03 Maj 2018

 

Shkruan: Prof. Dr. sci. Sylen Vranica

Mirë se erdhët vëllezër kinezë
Mirë se erdhët mysafirë kosovarë?!

Siç dihet mendësia dhe monizmi komunist, diktatura e proletariatit, botëkuptimi i stepeve të Sibirit të ftohtë dhe armiqësor, që në mesin tonë zgjati pothuajse gjysmë shekulli, shkaktoi ndasi tronditëse dhe të pabesueshme, në mesin e popullatës mjaft të vjetër në pasardhësit e padiskutueshëm dhe të dokumentuar të pellazgëve dhe më pastaj të ilirëve, atij shqiptare. Gjatë kësaj kohe të errët, terroriste dhe kriminale, u mundua që të formohej nj tip i ri i personalitetit të qenies shqiptare, të krijohet një strukturë e njeriut të ‘ri’ shqiptar, atij socialist dhe komunist me tipare internacionale, aziatike, antikombëtare, në vend të mburrjes evropiane,ashtu cfarë jemi si shqiptarë,një pasuri mijëvjeqare europiane. Mund të kuptohet xhelozia dhe lakmia e shteteve përreth, për t’i gllabëruar tokat tona të plleshme e mikëpritëse dhe të pasurive tjera mbi dhe nënetokësore, por asesi nuk mund të kuptohet sjellja e marrë dhe paranoide e udhëheqësve tanë të mëparshëm atyre komunist?! Duke qenë se kjo periudhë komuniste ka qenë një periudhë e pashembullt në suaza botërore në aspektin negativ, të udhëhequr nga politikanët injorantë të padijshëm dhe antikombëtar, u krijua një situatë ndarëse, e padëshiruar dhe e rrezikshme në mesin e një popullate të njëjtë, u mundua që për një periudhë gjysëm shekullore të zhbëhej tradita mijëravjeçare, u mundua që të ndahej “thoi nga mishi” i gishtit, u munduan për të pamundshmën, dukuri absurde dhe anakronike?! Aq larg shkoi kjo mbrapashti saqë për të biseduar shqiptari me shqiptarin, nga Shqipëria dhe Kosova, duhej një përkthyes për t’u “kuptuar” në mes vete! Në këtë vazhdë, u krijua në mënyrë artificiale ndarja sipërfaqësore e tiparëve dhe sjelljeve të ndryshme në aspektin psikologjik dhe të tjera, duke përfshirë mendësinë, botëkuptimet dhe të folurit deri diku, në mënyrë mjaft të spikatur! Për të qenë sa më “ afër dhe të besueshme” ndaj botëkuptimit komunist, në fjalorin e gjuhës sonë të pasur dhe të respektueshme, e vetmja gjuhë që dëshifron të folmën e lashtë pellazge dhe ilire, u ndërfutën fjalë të huaja, në përbërjen e përgjithshme të fondit tonë, të huazuara nga gjuhët karpatiane, siberike, aziatike dhe të tjera, u mundua që sa më shumë të largohemi nga qenia jonë gjenotipike dhe etnike! Kjo situatë e tmerrshme i përfshiu pothuajse të gjitha poret e jetës. Depërtimi dhe përdorimi i mendësisë dhe fjalorit të ftohtë, me ngricë dhe acar siberian si dhe dukuria e anashkalimit të pjesërishëm me trend të zgjerimit të mëtutjeshëm në mendësinë dhe fjalorin e ngrohtë mesdhetar të gjuhësisë në Shqipëri nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, depërtimi dhe përdorimi i mendësisë dhe fjalorit të vrazhdtë, karpato-serb, në fjalorin e butë dhe dashamirës në të folmën e shqiptarëve të Kosovës natyrisht se shkaktoi mjaft dhembje dhe plagë shpirtërore! Por edhe përdorimi i fjalëve me karakter italian dhe tjetër po shkakton habi dhe moskuptim. Kështu në vend që të përdoret fjala tubim përdoret zbor , në vend të fjalës treshja përdoret trojka, në vend të fjalës kujdestar përdoret dezhurni, në vend të fjalës kaltër përdoret blu, në vend të fjalës drejtues apo timon përdoret volan, në vend të fjalës flutuarake përdoret avion, në vend të fjalës barnatore përdoret farmaci, në vend të fjalës larje përdoret lavazh, në vend të fjalës ëmbëltore përdoret pastiçëri, në vend të fjalës gjelbër përdoret jeshil, në vend të fjalës mbikëqyrje përdoret survejim, në vend të fjalës fabrikë përdoret uzinë në vend të fjalës ndërrues përdoret menjaç, në vend të fjalës dëshmitar përdoret svedok etj.
Një moskuptim diskret lajmërohet edhe në situatat kur flasin në mes vete dy persona, njëri nga Shqipëria tjetri nga Kosova. Në këtë aspekt bashkëbiseduesi nga Shqipëria përdor nocionin dorashka, ndërsa në Kosovë përdoret emërtimi dorëza, luleshtrydhe apo dredhëza, dëborë apo borë, varkë apo barkë, shilarës apo luhatëse, ferovi apo hekurudhë, gomister apo vullkanizer, gici apo derrkuci, etj. Në aspektin kulturor, artistik më shumë u pëlqye ballajka dhe kazaçoku, sesa vallja e shqipes dhe e shotës.
Ndasia e mendimit dhe qasjes së ndërsjelltë të një populli të ndarë arbitrarisht në dy shtete, të ndikuar nga ideologjia e huaj komuniste krijoi edhe situata mjaft të pakëndshme. Menjëherë pas rënies së diktaturës me instalimin e demokracisë dhe hapjes së kufirit ndërmjet një populli, ashtu siç ishim të uritur për të vizituar vendin amë, ia mësyem më të madhe vizitës së Shqipërisë, pasi ndarja artificiale kishte zgjatur gjysëm shekulli, natyrisht se ishte krijuar një mendësi e dallueshme në mes të popullatës shqiptare në Shqipëri dhe asaj në Kosovë. Derisa në Shqipëri e folmja kishte primesa ruse, e folmja e Kosovës kishte mjaft primesa serbe. Kështu me një rast, derisa bashkëbisedonim me një shitëse në Shqipëri, ajo duke parë se flisnim me një gjuhë apo dialekt tjetër na u drejtua : “Mos jeni gjë kosovar?”. Kjo për ne ishte mjaft e paparitur dhe befasuese, si të ishim leprozë! Për një moment e mallkova veten pse nuk isha rus, kinez apo italian! Fatmirësisht gjatë kohëve të fundit me vizitat e shpeshta në Shqipëri, këto dukuri befasuese dhe të papritura vijnë duke u venitur dhe zhdukur, gjithnjë e më tepër me të madhe po kuptojmë se jemi një popull. Ky absurditet nuk la pa përfshirë edhe emrat personal! Fjala vie, derisa emërtimet si Tibor, Zoltan, Shandor, Miklosh etj, pa i pyetur fare na asociojnë në emërtime me karakter hungarez, vështirë emrat si: Vladimiri, Branko, Gerti, Alfons, Marenglen, Natasha, Symeje, Naser, Zylfikar, na asociojnë në karakterin shqiptar. Ky izolim i ndërsjelltë ka lënë pasoja edhe në emërtimet gjeografike, gjë që vërehet edhe në tabelat rrugore. Derisa në kufirin nga Kosova e deri në Shqipëri drejtohemi drejt Tiranës, në anën tjetër të kufirit, Shqipëri-Kosovë, shkruan se drejtohemi drejt Kosovës, pa përmendur me këtë rast emërtimin e qytetit të parë në kufijt e Kosovës, thua se po drejtohemi drejt në hapësire vietnameze apo kineze, ku nuk u kemi të njohura emërtimet e qyteteve përbërëse! Mendësia artificiale, e detyruar dhe e huaj, ajo stepike, komuniste, internacionale dhe antikombëtare, krijoi ndasi edhe në pikëpamjet e përgjithshme jetësore të shqiptrarëve në të dyja anët e kufirit. Derisa në periudhën komuniste, gjuha shqipe filloi të rusizohej, në këtë anë të kufirit në Kosovë gjuha shqipe ishte mjaft e serbizuar dhe e turqizuar. Duke qenë nën sundimin e vrazhdtë komunist, pjesa jonë e popullatës në Shqipëri, nisi me të madhe në periudhën, postkomuniste, të largohej nga vendi amë, duke u munduar ta injorojë në përgjithësi, prejardhjen e tyre të vërtetë, andaj gjuha shqipe filloi të italianizohej, ndërsa karakteri shqiptar filloi të merrte atribute të evropianizimit të mbrapshtë, dekadent, mafioz, prostittucional në vend të vlerave të mirëfillta pozitive, si ato shqiptare, po ashtu edhe europiane! Por, është për t’u përshendetur trendi në kohë të fundit kah përmirësimi gradual i situatës në këtë aspekt, ngritjes së vetëdijes së popullit, inteligjencës së krijuar, me meritë, pa detyrime, syhapur atdhetare dhe kombëtare, andaj duke shpresuar në këtë besoj se motoja në fillim të këtij shkrimi do të ndërrohet në mirëseardhjen në mes të vëllezërve shiptarë!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400