“Shqipëria etnike” dhe “Bashkimi kombëtar” si shantazhim ndaj ndjenjave atdhetare

19:46 / E mërkure, 02 Maj 2018

 


Nga Mentor Tahiri

Shqiptarët më shumë se kushdo, kanë të drejtë të kërkojnë korrigjimin e historisë së padrejtë. Kur më 1913 u përcaktuan kufijtë e Shqipërisë, u paracaktua që Shteti Shqiptar i ardhshëm të kufizohet në të gjitha anët me shqiptarë të mbetur jashtë kufirit të imponuar. Nga katër qendrat e atëhershme  administrative, vetëm Shkodra u paracaktua brenda kufijve dhe atë vetëm pas caktimit përfundimtar të fatit të Gjakovës. Së këndejmi, kjo padrejtësi logjikshëm ka qenë pjesë e programit të shumicës së lëvizjeje politike shqiptare, por jo të gjithave. Shembull asnjëherë s’ka qenë pjesë e ndonjë programi apo platforme të Partisë së Punës e cila shqiptarëve ua vodhi një gjysmëshekulli.  Komuniteti ndërkombëtar mund të mos e ketë kuptuar fare konceptin e natyrshëm që quhet “Shqipëri Etnike”, por jemi ne ata që kemi dështuar të ndalim fazat historike të venitjes së këtij koncepti.

Ajo që ka ndodhur në hartat politike dhe etnike të Ballkanit, tregon se kohët kanë ndryshuar. Kaloi një shekull që kur u përcaktuan kufijtë të cilët fragmentuan atdheun shqiptar. Me kohë u krijuan edhe realitete tjera në hartën etnike përreth Shtetit Shqiptar. Në territoret dikur me shumicë shqiptare që sot janë pjesë e Malit të zi, realitetet u përmbysën, diku me masa asimilimi, diku me konstruktime administrative, diku shpërngulja bëri të veten. Mjafton një survejim nëpër këto vise. Ulqini dhe Malësia e Madhe janë të vetmet zona të qëndrueshme të një shumice etnike shqiptare, por jo aq bindshëm. Zgjedhjet e fundit në Komunën e Tuzit, treguan se epërsia etnike më nuk reflekton vetëm “etnikisht” në politikë. Është partia malaziase në pushtet ajo që fitoi zgjedhjet aty. Në anën tjetër, Plava, Gucia, Tivari, Rozhaja, në masën më të madhe u përshëndetën me trungun etnik të dikurshëm së pari gjuhësisht, pastaj edhe etnikisht. Cilat janë pra territoret e pretenduara në Mal të zi? Fundja, sa e shohin probabile dizajnuesit e hartave etnike ndryshimin e kufijve të një anëtari të NATO-s?

Në Luginë të Preshevës konteksti pakëz ndryshon. Është fqinji ynë verior ai që do të dëshironte një imponim ndërimi territoresh, por në cilëndo variante duke mbajtur Bujanovcin si pikëkalim strategjik i asaj që Serbia e sheh si kanal i natyrshëm i lidhjes me Selanikun. Presheva është ruajtur etnikisht, Bujanovci është në fazën kritike të ruajtjes së epërsisë etnike. Fshatrat shqiptare në Komunën e Medvegjës më nuk kanë as minimumin e potencialit demografik për të qenë pjesë e lojës.

Në Maqedoni, luhet me harta qysh para shkëputjes nga Federata e dikurshme. Fontanë dëshirash gjithandej. Është e qartë, në aspektin territorial shqiptarët kanë krijuar epërsinë e qëndrueshme në të gjitha qytetet e Maqedonisë Perëndimore, por as që bëhet fjalë për një kompaktësi gjeografike. Dizajni i organizimit territorial të pushtetit lokal në komuna më të vogla, ka mundësuar ekzistimin e komunave si Jegunovci, Mavrova, Zhupa, Debarca apo Vevçani ku shqiptarët nuk përbëjnë shumicë. Realitetet etnike ndërkaq në Shkup nuk janë në përputhje me dëshirat që kanë hartuesit e hartave të “Iliridës”. Nga perspektiva nacionaliste e VMRO-s, qytetet si Tetova apo Dibra shqiptarët mund t’i marrin me vete qysh moti.

Në Shkupin administrativ, shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë, por mos të ishte Komuna e Sarajit, atëherë përqindja shqiptare në zonat ekskluzivisht urbane të Shkupi del edhe më e vogël. Dikur kryeqendër e Kosovës, Shkupi sot paraqet një nga rastet më emblematike të ndryshimit të strukturës etnike të qytetit aq sa gati mund të flitet për një qytet krejtësisht të ri. Jo vetëm simbolikisht, por Shkupi i vjetër sot paraqet vetëm një pjesë të vogël territoriale të qytetit të sotëm. Kriteri etnik na ka ikur nga dora edhe në Kumanovë (pjesërisht si dëshirë e shqiptarëve për të valëvitur flamurin në fshatin Likovë), kurse vështirë fare të shtrohet në Manastir, Prespë apo Ohër. Përcaktimi i sotëm i heshtur i shumicës së spektrit politik shqiptar në Maqedoni (shumica ende selinë në Tetovë dhe jo në Shkup), për një Maqedoni unike, është një reflektim i kthjellët në kuadër të së cilit synohet barazia e plotë kushtetuese e shqiptarëve, veç tjerash edhe si rruga më e zbatueshme e neutralizimit të getoizimit të shqiptarëve në vise të caktuara, fushatë kjo e cila ishte zbatuar për një shekull.

Çamëria është dhimbja më e madhe historike moderne e shqiptarëve. Përjashtuar këtu komunitetet e vogla shqiptare-ortodokse të cilat gjuhën shqipe e flasin ilegalisht nëpër shtëpitë e tyre, shqiptarët u zhbënë nga Çamëria. Baza etnike shqiptare në Çamëri u humb. Na mbetet kriteri historik, por me humbjen e bazës etnike, u shuar kriteri etnik si realitet prezent. “Patriotë” shqiptarë, do të shpejtojnë të konstatojnë vetëm aktet e Shtetit Grek në këtë drejtim. Por cili është roli i Shtetit Shqiptar ?

Është Tirana zyrtare ajo që me masa shtesë represive detyroi çamët të heqin dorë nga nënshtetësia greke. Me apo pa vetëdije, kështu u ndihmua në kombinatorikat juridike të Athinës, për të shuar çdo shpresë të çamëve për pronat e tyre. Të gjitha këto, Shteti Shqiptar i kapur atëherë nga Partia e Punës, i vuloste thellë me metodat e tij. “Komploti i grupit të çamëve”, një proces gjyqësor skajshmërisht i montuar, luajti në maksimum rolin e tij për të stigmatizuar çamët e ikur. RPSSH me këto veprime përmbylli efektivisht çështjen çame. Çfarëdo iniciative e sotme çame e cila nuk reflekton mbi këto padrejtësi nga Shteti Shqiptar, është thjeshtë një parodi politike. Dënimi me vdekje i Admiralit Teme Seko, të akuzuarit kryesor të gjyqit ndaj çamëve, shikuar nga retrospektiva historike, duket si një personifikim i shuarjes së çështjes çame.

Cilët janë kriteret për formimin e “Shqipërisë Etnike”? A ka kuptim nocioni “Bashkim Kombëtar” vetëm me dy republikat e sotme shqiptare? Jemi aq naiv sa ne të jemi shkaktarët e cenimit të Shtetësisë së Kosovës?

Këto dhe disa pyetje tjera të shtruara më lartë, janë vetëm disa nga pyetjet në të cilat, shqiptarët kudo duhet të kërkojnë përgjigje nga spektri politik shqiptar. Qartazi, kriteri i shumicës etnike nuk është si i paraqitet opinionit, më saktë nuk ka kuptim kur ai vetvetiu i përjashton nga harta shqiptare Shkupin, Tivarin, Janinën. Kriteri historik është vërtetë në anën tonë, por tani është më anakronik se asnjëherë pas luftërave shfarosëse ballkanike. Histori kanë edhe të tjerët gjithashtu dhe atë me anët e tyre të medaljes. Kriterin historik e kemi humbur gjithashtu.

Programet politike për krijimin e hapësirave etnike aty ku heterogjeniteti etnik është i pranishëm, dihet çfarë sjellin. Qëllimi apriori i përcaktuar në një terren ku tanimë realitetet janë tjera, flet mbi masat e ndërmarra për të arritur epërsinë etnike të konstruktuar. Ballkani vlon nga konstruktimet në relacionet demografi – etni, vlon nga padrejtësitë.

Por a është e thënë që kjo të zgjatë pafundësisht? Padrejtësitë historike kanë qenë gjithmonë prezente. Megjithatë një gjeneratë duhet të merr përsipër barrën që më të mos lejojë që padrejtësitë historike, e aq më tepër përcaktimi i kufijve të ri të jenë motori kryesor në programet politike. Sot, kur ekzistojnë dy shtete me shumicë etnike shqiptare, është spektri shqiptar ai i cili nuk po punon funksionalisht në jetësimin e organizmave të përbashkët ndërshtetërorë, as edhe ekonomi e kulturorë madje. Funksionaliteti dhe folklori politik dallojnë. Aman na lodhët më me folklor!

Ky shkrim assesi nuk duhet të jetë subjekt i matjes në peshoret “patriotike”. Le të kuptohet si një qasje racionale. Nëse shqiptarët gjithandej i thonë stop folklorit politik në, kjo do të jetë baza qytetare e cila do t’i pamundësojë programeve të ndryshme politike gjithandej botës shqiptare, që të luajë më ndjenjat tona atdhetare. Tutje do t’i detyrojë të ndalën së kërkuari votën tonë duke na shantazhuar përmes ndjenjave tona.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: inf[email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400