Si do e “zgjidhë” Serbia çështjen e Kosovës dhe të Luginës së Preshevës?

16:42 / E martë, 17 Tetor 2017

 

Shkruan: Nehat Hyseni

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht ka paralajmëruar se Serbia po përgatitë “propozimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Ai ka intensifikuar angazhimin e vet politik e shtetëror në këtë drejtim, meqë tani Partia Përparimtare Serbe (SNS) dhe ai personalisht, si president i Serbisë ushtron pushtetin më të konsoliduar, më të koncentruar në duartë e veta dhe më të fuqishëm, që nga koha e pushtetit nazi-fashist të Sllobodan Millosheviqit.

Duke qenë i vetëdijshëm për fuqinë e vet politike, Aleksandar Vuçiqi synon që ta shfrytëzoj këtë në favor të pranimit sa më të shpejtë të Serbisë në Unionin Europian. Kuptohet se në rrugëtimin e saj drejtë BE-së, Serbia ka pengesë kryesore përmbushjen e obligimeve lidhur me njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe sovranitetit të saj politik e territorial. Gjithashtu, Serbia obligohet që t’i respektoj edhe liritë dhe të drejtat qytetare e kombëtare të pakicave kombëtare, që do të thotë se kapitulli 23 e obligon Serbinë edhe për njohjen dhe respektimin e lirive dhe të drejtave kombëtare edhe të shqiptarve të Luginës së Preshevës, të cilët aktualisht paraqesin komunitetin më të diskriminuar në Europë.

Duhet theksuar se në këtë drejtim, Serbisë i nevoitet shumë për të bërë, sepse aktualisht shqiptarët në Serbi diskriminohen si në kohën e regjimit të egër shovinist të Sllobodan Millosheviqit, meqë atyre u mohohen edhe të drejtat më elementare, siç janë: e drejta për shkollim në gjuhën amëtare, sepse arsimi shqip në Luginë të Preshevës dhe kudo në Serbi është i privuar nga të drejtat më elementare për sigurimin e teksteve dhe mjeteve mësimore në gjuhën shqipe, që parashihen sipas standardeve europiane për pakicat kombëtare dhe bashkësitë etnike.

Duhet theksuar se Serbia nuk i njeh diplomat e lëshuara nga universitetet e Republikës së Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008, që i detyron të rinjtë e diplomuar që të shpërngulen nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dhe të konkurrojnë për vende pune në tregun e stërngarkuar dhe të papunësisë së madhe në Kosovë, apo t’ia mësyejnë vendeve të Europës Perëndimore dhe gjithandej nëpër botë.

Pasojë e kësaj politike armiqësore dhe skajshmërisht diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarve është shpërngulja masive dhe ekzodi i madh dhe boshatisja e Luginës së Preshevës dhe spastrimi etnik i kësaj pjese të Serbisë nga shqiptarët. Situatës alarmante të diskriminimit të shqiptarve në Luginë të Preshevës kohëve të fundit i janë shtuar edhe masat më të reja për kolonizimin e Preshevës dhe Bujanocit me refugjatët serbë nga Kroacia, Bosna dhe Kosova, sipas Planit Aksional Lokal (Lokalni Akcioni Plan) 2017-2021, të nëshkruar nga kryetari i imponuar nga Qeveria e Serbisë dhe aleatin politik të Aleksandar Vuçiqit, kryetari i “Organit të Përkohshëm”, Shqiprim Arifit. Dinamika e përcaktuar me këtë “Plan” për periudhën katërvjeçare (2017-2021”, që njihet si “Plani Vuçiq-Arifi”, parasheh kolonizimin e Preshevës dhe 35 fshatrave të saj, që shtrihen në një sipërfaqe prej 265 kilometrash katrorë në pjesën më jugore të Serbisë, që të ndërtohen shtëpi dhe banesa e kushte të tjera për vendosjen e mijëra serbëve të shpërngulur, kryesisht për krime lufte, nga Kroacia, Bosna dhe Kosova.

Gjithashtu, parashihet që të vendoset edhe një numër i madh i refugjatëve nga Lindja e Mesme, nga Siria, Afganistani, etj. të cilët mund të jenë të inkriminuar në luftrat e atjeshme të ISIS-it në Siri, Irak, etj., apo të talibanëve në Afganistan e Pakistan, etj. Kështu, Serbia synon që të shfrytëzoj fonde të majme nga Unioni Europian për pranimin dhe sistemimin e refugjatëve nga Lindja e Mesme, duke e kolonizuar Preshevën dhe Bujanocin me serbë e sirian, afganistanez, pakistanezë, irakianë, etj. dhe duke ia ndryshuar strukturën kombëtare këtyre komunave të banuara më shumicë shqiptare në Serbi. Kjo i bie se “me një të rame, Serbia i arrinë dy të vrame”.

Pra, merr miliona euro nga Europa dhe njëkohësisht atyre u shitet si “shtet human” e demokratik dhe njëkohësisht aspiron ta ndryshoj strukturën etnike të Luginës së Preshevës në dëm të shqiptarve. Mjerisht, në kë mision antishqiptar është inkorporuar edhe Shqiprim Arifi, i cili kontribuoi në bllokimin e punës dhe funksionimin e Kuvendit të Komunës së Preshevës dhe nga Qeveria e Serbisë u imponua si kryetar i masave të dhunëshme, me qëllim që ta pranoj Planin Aksional Lokal të Qeverisë së Serbisë, të cilin synonte t’ia impononte për aprovim koalicionit me PVD-në.

Natyrisht se ky plan makabër antishqiptar, u refuzua kategorikisht nga kryetarja e Kuvendit, zonja Ardita Sinani dhe u prishë koalicioni qeverisës APN-PVD. Por, Shqiprim Arifi më bashkëpunëtorë u rrjeshtua në anën e Qeverisë së Serbisë dhe SNS-it të Aleksandar Vuçiqit, kundër Preshevës dhe shqiptarve, ashtu si veproi dikur Rrahman Morina, duke u rrjeshtuar kundër Kosovës dhe shqiptarve, për krah regjimit të tërbuar antishqiptar e nazi-fashist të Sllobodan Millosheviqit. Pa dyshim se ky “sukses” i politikës antishqiptare të Serbisë në Luginë të Preshevës, e cila për shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk ka aspak ndryshim nga regjimi nazi-fashist i Sllobodan Millosheviqit, e ka trimëruar dhe sa duket e ka inkurajuar që të pretendoj se deri në marsin e vitit të ardhshëm, ai do ta “zgjidhë çështjen e Kosovës”, duke nënkuptuar edhe çështjen e Luginës së Preshevës.

Po ashtu, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar “se ka presion nga Brukseli për njohjen e Republikës së Kosovës”, dmth që Kosova të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Gjithësesi, situata e brishtë politike në Kosovë dhe favorizimi i politikës së Serbisë me anë të “Listës Srpska”, që dirigjohet e kontrollohet drejtëpërdrejtë nga Aleksandar Vuçiqi nga Beogradi, por dhe shkon për konsultim legalisht edhe në Moskë, realisht paraqet pozicionin më të disfavorshëm të Republikës së Kosovës dhe shqiptarve karshi Serbisë dhe serbëve, qysh nga viti 1999 e deri më sot. Natyrisht se Serbia është e vetëdijshëme për këtë avantazh të vetin, pra për favoret e saja karshi disfavoreve evidente dhe hendikepeve të politikbërjes shqiptare në Republikën e Kosovës dhe në Luginë të Preshevës. Prandaj, Serbia po ngutet që ta shfrytëzoj dhe ta kapitalizoj sa më mirë këtë favor, si dhe faktin se Bullgaria, si mike tradicionale e serbëve dhe Serbisë, do e kryesoj BE-në në mandatin e ardhshëm gjashtëmujor.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400