Të gjitha “kompromiset” me Serbinë

20:54 / E shtunë, 19 Maj 2018

 

Nga Melihate Tërmkolli

Që nga paslufta deri sot, në raport me Serbinë, Kosova kë bërë vazhdimisht “kompromise” në dëm të saj, në zbehjen e pavarësisë dhe sovranitetit të saj. Në fakt, nuk mund të flasim për asnjë kompromis me Serbinë, sepse asnjë kompromis deri sot nuk është arritur. Serbia as që ka pasur  qëllim për diҁka të tillë. Krejt ajo ҁfarë ka ndodhur deri sot në raport me Serbinë është favorizim i Serbisë dhe cënim i rëndë i shtetit dhe sovranitetit të Kosovës,  në të gjitha bisedimet dhe nga të  gjitha marrëveshjet. Zgjidhjet që i ka pranuar Kosova deri sot nuk janë as zgjidhje dhe as kompromise sepse Kosova vetëm ka dhënë e Serbia vetëm ka marrë. Qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës edhe sot janë të pandryshuara. Nëse mundet, ta pushtojë prapë Kosovën dhe t’i zhbëjë shqiptarët. Derisa kjo tani nuk mund të bëhet, atëherë Serbia pretendon së paku ndarjen e Kosovës. Nëse edhe kjo nuk realizohet, atëherë ajo ka variantin e  një ndarje të brendshme të Kosovës në të cilën do të kishte ndikimin e saj dhe shantazhe e pengesa të përhershme në funksionimin e Kosovës, shtet i pavarur e funksional.

Tani kur flitet për bisedimet finale për “normalizim të marrdhënjeve të Kosovës me Serbinë” dhe një marrëveshje eventuale, Kosova duhet të jetë e përgaditur se për ҁka mund të bisedojë e për ҁka as nuk mund të bisedohet.

Cilado udhëheqje politike e Kosovës duhet ta ketë të qartë se nuk mund të bëhen as bisedime dhe as kompromise me pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Nuk mund të bëhet kompromis për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Shteti është i të gjithë qytetarëve të Kosovës, madje edhe i atyre që nuk janë më, e gjithsesi i atyre që vijnë.

Në këtë drejtim, si ҁështje parësore duhet të shtrohet njohja e ndërsjellë si shtete të pavarura por në asnjë mënyrë si ҁështje e bisedimeve për ndonjë kompromis apo marrëveshje sepse kjo është e drejtë dhe detyrë e secilit shtet për fqinjësi të mirë dhe integrim evropian. Serbia mund të na njohë si shtet i pavarur ose jo, është ҁështje e saj. Njëjtë mund të bëjë edhe Kosova.

Kompromisi i vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, në këtë rast, do të ishte njohja e satusit të njëjtë politik e juridik të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit me statusin e serbëve në Kosovë dhe pranimi nga ana e Serbisë për kthimin e pronave të shqiptarëeve të dëbuar me dhunë e gjenocid nga Sanxhaku i Nishit (spastrimi i parë i madh etnik i Serbisë kundër shqiptarëve).

Gjendja e sotme e Kosovës në raport me Serbinë nuk është e njëjtë jo vetëm në pikëpamje të pranueshmërisë së statusit të tyre në BE por edhe brenda vetë shtetit. Nga një vend me perspektivë të madhe dhe me përkrahje të madhe ndërkombëtare për zhvillim e përparim, sot udhëheqja politike e Kosovës, e ndihmuar në forma të ndryshme edhe nga qarqe të caktuara ndërkombëtare, e ka sjellë vendin para situatës ku nuk dihet më cili ishte okupator e cili viktimë, kush bëri gjenocid e kush pësoi nga dhuna e gjenocidi, kush ҁka fitoi e kush ҁka humbi.

Diletantë politik dhe të ashtuquajtur analistë, flasin për atë se Serbia e paska humbur Kosovën por jo edhe betejën për serbët e Kosovës dhe ajo qenka e vetëdijshme për këtë dhe të tjerë që thonë se askush në bisedime nuk mund të fitojë 100%. Këto teza të rrezikshme janë veҁ në shërbim të lehtësimit të mëtejshëm të pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Është e ҁuditshme se si shumë shqiptarë ende nuk e kuptojnë dhe nuk e kanë të qartë se Serbia nuk e ka humbur Kosovën sepse Kosova nuk ka qenë e Serbisë asnjëherë. Mitet e trillimet janë ҁështje tjetër dhe tashmë dihen. Serbia në raport me Kosovën, historikisht është veҁ pushtuese, aneksuese dhe gjenocidale kundër shqiptarëve. Kaq. Sot Kosova është e ҁliruar nga Serbia, shtet i pavarur, i njohur nga shumica e shteteve në botë dhe në rrugë të konsolidimit të saj institucional shtetëror e shoqëror. Vlerat dhe orientimet perëndimore janë në favor të forcimit të pavarësisë së Kosovës dhe marrdhënjeve të mira me të gjithë fqinjët dhe në asnjë rast që në emër të marrdhënjeve të mira me të tjerët të pranohet dobësimi dhe dëmtimi i pavarësisë.

Duhet të përkujtojmë deklaratën, ndër më domethënëset të Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova në kohën e bisedimeve të Vjenës për statusin final të Kosovës se “ Pavarësia është kërkesa jonë optimale” dhe në rast se kjo nuk realizohet “ atëherë ne do të shkojmë me kërkesë maksimale”, e parealizuar në tërësinë e kuptimit të plotë të saj, siҁ do të shihet në rezultatin final të Vjenës.

Bisedimet e Vjenës për statusin final të Kosovës, ndonëse rezultuan me pavarësinë e Kosovës, të arriturën më të madhe të shqiptarëve, megjithatë, në shumë segmente shtetërore sollën zgjidhje jo funksionale. Kosova, për hirë të pavarësisë bëri kompromise tepër të mëdha pikërisht me pavarësinë dhe funksionimin si shtet i pavarur. Serbia as që denjoi të merret me “ Marrëveshjen e Ahtisarit”, duke mos e pranuar atë edhe pse iu bënë lëshime tepër të mëdha pakicës serbe prej më pak se 5% të popullatës së përgjithshme të Kosovës dhe duke i lënë Serbisë të hapura shumë dyer për të ndërhyrë në punët e Kosovës. Me këtë marrëveshje, Kosova kishte pavarësi të mbikëqyrur nga “ndërkombëtarët” për disa vite. Gjuha serbe u njoh gjuhë zyrtare ndërsa në Kuvendin e Kosovës, serbët përveq vendeve të garantuara, për dy mandate patën edhe vende të rezervuara, ndërsa për ҁështjet vitale të Kosovës si arsimi, ushtria, policia etj., atyre iu njoh “e drejta e vetos”. Në emër të kompromisit dhe pajtimit me Serbinë, u formuan dhjetëra komuna të reja me shumicë serbe me të cilat në emër të integrimit të serbëve në jetën politike e institucionale në fakt u bë ndarje etnike institucionale. Mitrovica u nda në dy komuna, të veriut dhe atë të jugut. Kishat dhe manastiret ortodokse të Kosovës “u bënë” serbe duke u njohur edhe status të veҁantë. Serbia, si gjithnjë, e pakënaqur me këto zgjidhje imponoi bisedime të reja, sipas saj për statusin e Kosovës. Udhëheqja politike e Kosovës edhe BE u pajtuan që të nisin bisedime të reja mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësim apo lehtësim të BE-së, nën siglën e “normalizimit të marrdhënjeve midis Kosovës dhe Serbisë’ fillimisht të deklaruara si bisedime teknike por në fakt bisedime thellësisht politike, për të kënaqur apetitet e Serbisë sepse sipas pothuaj të gjithë faktorëve politik përfshirë edhe atë të Kosovës, pavarësia e Kosovës mund të njehsohet si e tillë vetëm nëse këtë e ka pranuar edhe Serbia ose nuk është tamam e tillë nëse nuk e ka pranuar edhe Serbia. Dhe natyrisht me këtë u hapën dyert e mëdha për ndërhyrje të Serbisë direkt në sovranitetin e Kosovës dhe në rregullimin e brendshëm kushteteues të saj. Nuk bëhet fjalë këtu për asnjë lloj kompromisi siҁ përpiqet ta përkthejë këtë udhëheqja politike e Kosovës, por vetëm për përfitime të Serbisë dhe cënim të rëndë të pavarësisë së Kosovës. BE me pëlqim të Kosovës, me shumë pompozitet vendosi misionin Eulex, për të luftuar krimin, krimin e organizuar dhe korrupcionin. Ky mision mund të quhet i dështuar sepse nuk arriti asnjë rezultat të prekshëm e të pritur nga qytetarët e Kosovës. Me insistimin e Serbisë dhe pranimin e saj nga udhëheqja politike e Kosovës e natyrisht edhe BE-së, u themelua Gjykata Speciale, me seli në Hagë, për krimet e luftës së UҪK-së, (1998-2000) e cila nuk dihet se ҁfarë do të sjellë.

E vetmja gjë që i është kërkuar deri sot Serbisë nga BE dhe është pranuar edhe nga Kosova është që ta godasë më pak ose më shumë Kosovën.

Bisedimet e Kosovës me Serbinë, së pari, nuk bëhen mes dy shteteve të barabarta. Këtë status të “statuseve të ndryshme” e ka pranuar edhe udhëheqja politike e Kosovës ndërsa edhe BE nuk e prejudikon statusin e Kosovës anipse atë e kanë njohur 23 nga 28 shtetet anëtare të saj. Së dyti, me marrëveshjet e deritanishme Kosova ka fituar dhe e ka pranuar fusnotën si shenjë dalluese në vend të një shteti normal, me ҁka udhëheqja politike e Kosovës veҁ e ka siguruar Serbinë të shkojë më tutje me agresion politik, diplomatik e edhe forma tjera të agresionit ndaj Kosovës. Pse jo?! Një udhëheqje politike e cila punon më tepër në dëm të shtetit e popullit të vet hapë rrugën që të tjerët të punojnë më lehtë kundër tij.

Ndërsa dëmi tjetër i madh nga këto bisedime pason me nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, që në gjuhën politike juridike don të thotë njohje e një statusi autonom politik e territorial për serbët në Kosovë. Ndonëse kjo marrëveshje u kontestua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, epilogu i saj pritet të shihet shpejt.

Për ҁfarë flet udhëheqja politike e Kosovës në raport me Serbinë në kuptim të një marrëveshje  politike historike është ende e paqartë. Dhe pyetja e shqetësimi më legjitim që mund të bëjë secili nga ne është: a ka mbetur edhe diҁka nga shteti ynë, që udhëheqja politike e Kosovës t’ia njohë Serbisë në emër të “kampromiseve”, normalizimit të marrdhënjeve me Serbinë apo më saktë në emër të” ruajtjes” së pavarësisë së Kosovës ose edhe njohjes nga Serbia!? Për fat të mirë tonin, edhe në këtë proces është SHBA dhe shtetet tjera mike. Por sigurisht edhe ato janë aq sa e duam ne vendin tonë dhe sa punojmë për të.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400