Të palodhurit të mos ndalen

15:20 / E mërkure, 03 Janar 2018

 

Nga Sali BYTYÇI

 

 

Ishin muajt e fundit të vitit 1984, në Shtëpinë Ndëshkuese Korrektuese në Smrekonicë, kur njërit prej shokëve të dhomës i shkrepi ideja që secili prej nesh të thoshte mendimin e tij në stilin “Hajt pak”.

Në dhomë ishte Ali Sadiku nga rrethi i Suharekës, Abdyl Bajrami nga rrethi i Vitisë, një nga Kaçaniku, punëtor në botën e jashtme, të cilin për pjesëmarrje në demonstrata e kishin burgosur, pastaj Xhavit Zariqi nga rrethi i Ferizajt – tani njëri nga 71 “Spartanët e Ramushit”, një Bytyç nga rrethi i Suharekës, të cilit nuk po ia kujtoj emrin, nuk më kujtohet a ishte edhe Xhemajl Rexha, tani dëshmor, nga rrethi i Suharekës etj.

Kur më erdhi radha mua të flasë, edhe pse nuk jam shquar kurrë për të folur të rrjedhshëm, i thashë edhe unë disa fjalë.

“Ne që jemi nisur në këtë rrugë, një ditë edhe mund të lodhemi, të dorëzohemi, të heqim dorë nga çështja, por do të dalin gjithnjë njerëz të rinj, të palodhshëm, që do ta çojnë çështjen tonë përpara…”.

Ishin këta të palodhur, për të cilët fola unë në këtë “fjalim” të shkurtër, që nuk u dorëzuan kurrë, të cilët qëndruan përgjatë viteve ’80, po qëndresën nuk e ndërprenë as në vitet ’90. Edhe në kohën e demagogjisë së madhe se Kosova do të çlirohej me një 3 përqindësh dhe me një organizim politik tepër të shleshtë, këta nuk e pushuan qëndresën e tyre derisa shpërthyen kryengritjen popullore 1997-99.

Ishte palodhshmëria e tyre që e ndryshoi historinë.

Por, gjatë kësaj pune të pandërprerë që bën këta të palodhshëm, disa prej tyre, pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, filluan të “çlodheshin” në korrupsion dhe punë të këqija. Prandaj, prapë u takon të palodhurve që, ashtu siç nuk e ndërprenë punën e tyre kundër shtypësve të lirisë, derisa arritën që edhe me ndihmën e demokracive perëndimore, t’i shporrnin jashtë Kosovës, të mos e ndërpresin punën edhe nga shporrja prej pushtetit të të gjithë atyre që e sollën Kosovën në këtë derexhe në të cilën gjendet sot.

Të lodhurit heqin dorë nga rruga, dorëzohen, po ka dhe do të ketë gjithnjë të palodhur që vazhdojnë rrugën, sepse të ecësh do të thotë të ekzistosh; ndërsa të ekzistosh do të thotë të çash përpara, të ngadhënjesh mbi pengesat, të mos ndalesh kurrë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400