T’i zhdukim ngacmimet e dyanshme

20:24 / E hëne, 18 Qershor 2018

Shkruan: Edona Salihu       

Dukuri shoqërore, deri vonë tabu, e përhapur shumë ku cdo ditë po shënon rritje.

Është ky ngacmimi seksual i cili po haset në rrugë, punë, në cdo vend por mbi të gjitha në institucione publike të cilat pikë së pari duhet të jenë edukative pra shkolla dhe fakultete.

Kjo dukuri është më e shprehur ndaj gjinisë femërore, e cila e përjeton këtë gjë pothuajse cdo ditë.

Në nismën “Take Back the Night” ishte publikuar një video nga një vajzë e cila e tregonte më së miri këtë dukuri. Vajza po ecte rrugëve të Prishtinës dhe ishte ngacmuar mbi 50 herë brenda ditës me sjelljet dhe fjalët  më të rënda.

Për ngacmimet që ndodhin në vendin e punës flet rasti i “Lëvizjes Vetëvendosje” ku ata e kishin pranuar se mes aktivistëve të tyre ka pasur ngacmime seksuale.

Përvec këtyre rasteve, ngacmime të tilla ka edhe në shkolla, ku sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2015, 54 raste janë shënuar si sulme seksuale dhe 65 keqpërdorime seksuale të personave nën moshën 16 vjecare.

Një hulumtim i publikuar nga rrjeti i grupit të grave të Kosovës  tregonte se 45 përqind e vajzave dhe grave janë të prekura nga kjo dukuri dhe 30 përqind e meshkujve. Edhe pse fakt është se kjo dukuri nuk raportohet edhe aq sa duhet.

Adelina Berisha kryetare e këtij rrjeti  tregonte se prej totalit të popullatës, 2.4 përqind prej tyre raportuan se kanë qenë të ngacmuara seksualisht nga mësimdhënësit e tyre.

Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, profesori Rexhep Osmani ishte suspenduar për këtë arsye nga puna, pasi që dyshohej se ai kishte ngacmuar studenten e tij, tani po akuzohet për një gjë të tillë.

Edhe në Universitetin e Prizrenit, profesori Bashkim Zahiti kishte kushtëzuar dy studentet e tij për dhënien e notës në këmbim të shërbimeve seksuale, sipas denoncimit që ato kishin bërë ndaj tij.

Por a ngacmohen vetëm studentet nga profesorët?

Natyrisht që jo. Nuk janë vetëm profesorët ata që bëjnë gjëra të  tilla. Nëse 90 përqind të  rasteve janë studentet ato që ngacmohen nga profesorët, në 10 përqind prej tyre studentet i ngacmojnë  profesorët.

Këta të fundit, tregojnë se janë përballur me raste të ngacmimit nga studentet dhe si i kanë kaluar ato. Njëri nga ta, përmend faktin se ai detyrohet ta lërë derën e zyrës së tij në fakultet hapur për po këto arsye.

Pra, si shoqëri gishtin nuk duhet ta drejtojmë vetëm nga njëra anë sepse edhe pala tjetër është e prekur nga kjo dukuri. Duhet të mundohemi ta luftojmë të tërën, pa përjashtime, edhe nëse rastet e ngacmimit të studenteve ndaj profesorëve nuk janë në numër shumë të madh megjithatë është shumë e domosdoshme të luftohen.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400