Trump-Putin, A po fillon një garë e re armatimesh?

14:22 / E hëne, 05 Mars 2018

 

Nga Jamie DETTMER (VOA)

Ishte një fjalim i pritshëm për një udhëheqës që synon të rizgjidhet, me premtime për përmirësimin e jetesës dhe të ekonomisë dhe angazhimin për të hapur më shumë vende pune e për të ndërtuar shtëpi më të mira. Në fjalimin e tij të përvitshëm për gjendjen e vendit, i 14-i dhe i fundit para zgjedhjeve të 18 marsit që pritet t’i fitojë lehtë, Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se “përparësia e tij kryesore është që të mbrojë popullin rus dhe të përmirësojë mirëqenien e tyre”, duke shtuar se ishte “e papranueshme” që 20 milionë rusë jetojnë aktualisht nën nivelin zyrtar të varfërisë. Por ajo që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare nuk ishte premtimi i tij për të shtuar fondet për lejen e lindjes, spitalet dhe kujdesin shëndetësor për fëmijët, apo për zhvillimin urban dhe arsimin, por theksi që ai vuri me fraza të guximshme te forcimi ushtarak nën udhëheqjen dhe kujdesin e tij, veçanërisht të fuqisë bërthamore. Njoftimi i befasishëm i Presidentit Putin për prodhimin e një rakete të re që nuk mund të interceptohet nga sistemet amerikane ajrore të mbrojtjes dhe për një një raketë të re ndërkontinentale me një sasi më të madhe mbushjesh bërthamore, rrezikon të trondisë stabilitetin strategjik dhe të shkaktojë një luftë të re armësh, sipas ish-kryeministrit suedez, Carl Bildt. “Nëse do të kishte pjekuri sot në botë, duhet të kishim tani një fazë të re bisedimesh për një stabilitet strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, pasuar nga marrëveshje konkrete”, shkruante në Twitter zoti Bildt. Ndër armët që bëri publike presidenti rus, raketa që nuk diktohet nga sistemet e mbrojtjes bie në sy pasi mund të ndryshojë rregullat e lojës. Presidenti Putin tha se “ajo fluturon në lartësi të ulët dhe kapet vështirë nga radarët” si dhe ka “një mbushje bërthamore me një rreze veprimi praktikisht të pakufizuar dhe një trajektore pothuajse të paparashikueshme, që mund të shmangë linjat e interceptimit dhe e pashkatërrueshme para të gjitha sistemeve ekzistuese dhe të ardhshme si për mbrojtjen nga raketat edhe nga mbrojtja ajrore”. Ai prezantoi serinë e armëve bërthamore, duke e shoqëruar me një video dhe imazhe kompjuteri që i tregonin të drejtuara ndaj Shteteve të Bashkuara. Videot u shfaqën në ekrane të mëdha në një sallë të madhe me ligjvënës dhe zyrtarë rusë entuziastë. Ato do të godasin “si meteor, si një lëmsh i zjarrtë. Rusia gjithmonë ka qenë një fuqi bërthamore, por askush nuk donte të na e vinte veshin. Na dëgjoni tani”, tha zoti Putin. Ndërsa shpalosej fjalimi, ish-këshilltari presidencial, Gleb Pavlovsky tha se zotit Putin ”i shkëlqyen sytë kur po fliste se si mund ta shkatërronte gjithë botën. Një moment i së vërtetës!”. Disa analistë thonë se deklarimi i Putinit duhet të shihet si pjesë e fushatës zgjedhore të udhëheqësit rus. Megjithëse ai vazhdon të jetë popullor sipas anketave, Kremlini është i shqetësuar për pjesëmarrjen dhe veprimtarët e opozitës thonë se këshilltarët e Putinit janë të shqetësuar lidhur me ruajtjen e balancës mes kontrollit të fortë dhe shmangies së apatisë së votuesve. Udhëheqësi i vetëm i pavarur i opozitës, Alexei Navalny, është përjashtuar nga gara. Ai po nxit përkrahësit të bojkotojnë votimet në përpjekje për të dëmtuar votimin. Kremlini gjithmonë është druajtur se sistemet mbrojtëse që kanë aftësinë të frenojnë raketat ruse do t’u hapnin rrugën armiqve perëndimorë për të qenë të parët që do të godisnin Rusinë. Rrënjët e kësaj frike janë që në fillim të viteve 1980, kur agjencitë sovjetike të zbulimit ishin të bindura se Shtetet e Bashkuara po përgatiteshin për një sulm të befasishëm bërthamor kundër Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij. KGB-ja ndërmori operacionin e ashtuquajtur RYAN dhe urdhëroi agjentët e vet jashtë vendit që të mblidhnin çdo informacion që të mundeshin dhe të vepronin si një sistem kolektiv paralajmërimi për një goditje të mundshme amerikane. Këto përpjekje shkonin deri në pikën e dislokimit të njerëzve të tyre natën pranë Pentagonit për të parë nëse kishte më shumë drita të ndezura se zakonisht. Pjesa më e madhe e fokusit të operacionit RYAN ishte në Gjermani, ku agjentët e KGB-së në Lindjen komuniste ishin nën presion për të gjetur prova për synimet keqdashëse të Amerikës për të sulmuar. Një prej atyre oficerëve ishte një i ri i quajtur Vladimir Putin.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400