Unë fëmiu yt Kosovë!

17:24 / E diell, 04 Mars 2018

 

Shkruan Albana Maloku

Sikur edhe shumica e shqiptarëve, edhe unë jam një nga fëmijët tu Kosovë, një nga ata që u rritën me gjysmë lirie, një nga ata që u rrit me(nën) frikën e izolimit, unë jam ai fëmijë që vazhdimisht është rritur me gojëdhënat shqiptare, unë jam ai fëmijë që është rritur dhe krenuar me bindjet, qëndrimet, sjelljet, opinionet dhe veprimet kulturo-historike shqiptare, unë jam një nga ata fëmijë që e dijnë se ç’është nderi, besnikëria dhe guximi shqiptar…dhe mbi të gjitha, unë jam ai fëmijë që është rritur me shpresën për të realizuar ëndrrën tënde shekullore Kosovë!

Kaloi kohë…arritëm synimin tonë shekullor, kjo falë luftës së lavdishme të UÇK-së. Pas kësaj, pritshmëritë tona për ty Kosovë ishin të mëdha, por megjithatë të logjikshme. Ishin pritje që mund dhe duhej të realizoheshin nga qeveria vendore, kjo për dy arsye: për shkak të përmbushjes së amanetit të të parëve (një Kosovë e lirë dhe demokratike), dhe për shkak të përmbushjes së detyrimit të saj ndaj qytetarëve(sikur dhe çdo qeveri tjetër botërore). Ndërsa sot, çdo gjë është kthyer mrapsht, sot jam një fëmijë i pjekur, i cili të kaluarën e kujton si periudhën më të lavdishme shqiptare, ndërsa të sotmen po e gjykon vazhdimisht. Sepse nuk ka asnjë ditë, orë, e të mos them çast që nuk përballemi me fenomene tejet negative, fenomene këto, të cilat po e dëmtojnë rëndë shtetin, shoqërinë dhe vetë individin. Sot, jam një nga ata që po e kritikon dhe gjykon pushtetin politik aktual. Këtë pushtet që në një mënyrë po i mbyt fëmijët, të rriturit por edhe të moshuarit kosovarë përmes këtyre fenomeneve si: krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit, shkallës së ulët ekonomike, papunësisë, varfërisë ekstreme, emigrimit, inflacionit etj. Pra, jam nga ata që edhe në tutje do të vazhdojë gjykimin kundër elitave politike, pasi që, transparenca, llogaridhënja dhe përgjegjësia duhet kërkuar nga ta. Sepse unë jam fëmiu yt jetim Kosovë; unë jam fëmiu yt që po bredh rrugëve të qytetit, në vend se të ndjek shkollimin; unë jam fëmiu, diploma e të cilit ka mbetur në sirtar sikur të ishte letër dekoruese; unë jam një nga ata fëmijët që është viktimë e dhunës së luftës; unë jam fëmiu që po kërkon babain e zhdukur(birin, burrin) qysh nga paslufta; unë jam fëmiu veteran, por që jam përjashtuar nga listat përkatëse si i tillë; unë jam fëmiu yt që po jeton në varfëri ekstreme; unë jam fëmiu yt që ia mohuan asistencën sociale… dhe mbi të gjitha, unë jam ai fëmijë, sakrifica dhe gjaku i të cilit po tentohet të njolloset vazhdimisht. Unë fëmiu yt Kosovë, që pushteti yt ia mbyti ëndrrat, por asnjëherë shpresën!.

p.s Për shkak të subjekteve politike, mos lejo të shuhet dashnia për shtetin!.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400