Vetëm protestat “revolucionare” mund ta shpëtojnë Lëvizjen “Vetëvendosje”!

22:14 / E mërkure, 07 Shkurt 2018

 
Shkruan: Nehat Hyseni

Lëvizja Vetëvendosje u krijua fillimisht si një lëvizje politike e padefinuar ideologjikisht, që për objektiv të veprimit politik kishte mësyerjen kundër regjimit politik të Kosovës së pasluftës.
Kulmin e kësaj “mësyerje” kundër pushtetit ajo e arriti në protestat kundër Qeverisë së Isa Mustafës, në koalicionin PDK-LDK, duke arritur përmasa që i tejkalonin kufijtë më ekstrem të protestave të tilla, që realisht kishin elemente të kryengritjes popullore.
Policia e Kosovës u gjuajt me gurë e mjete të tjera të rrezikëshme e vdekjeprurëse, që plagosën rëndë shumë pjesëtarë të policisë, si dhe demoluan e shkatërruan pronën dhe asetet publike e private, duke mos hezituar që t’i thejnë xhamat, t’i hedhin ngjyrë për ta shëmtuar si është më zi dhe në fund edhe e gjuajtën me granata dore dhe is vunë zjarrin dhe tentuan që ta djegin ndërtesën e Kuvendit dhe atë të Qeverisë së Kosovës.
Kurse, ndaj policisë gjuajtën “koktejë mollotovi” e çka jo, për ta penguar në vendosjen e rendit, që është detyrë themelore kushtetuese e ligjore e saj.
Natyrisht se në krye të atyre protestave qëndronte Albin Kurti me Visar Ymeri, Dardan Molliqajn dhe të tjerët, të cilët haptas deklaronin qëllimin e tyre “për ta nxjerrë kryeministrin Mustafa nga zyra“!
Pra, synonin rrëzimin e Qeverisë Mustafa, si legjitime dhe vendosjen e pushtetit të rrugës!
Me fjalë të tjera, ata synonin hiç më pak së grushtshtetin, ose siç deklaronte asokohe Albin Kurti, qëllimi apo objektivi politik i tyre ishte rrëzimi i “Republikës së Dytë” nga pushteti dhe vendosja e pushtetit të të ri “popullit”, dmth. vendosjen e “Republikës së Tretë” me Albin Kurtin në krye të saj.
Lëvizja Vetëvendosje ishte shndërruar në një forcë militante ekstreme, revolucionare, që synonte rrëzimin e pushtetit me dhunë, për të vendosur pushtetin e drejtësisë sociale e politike në vend, meqë pretendonin se Kosova kishte marrë “rrugën e gabuar” të keqqeverisjes, pabarazisë sociale dhe krimit.
Me fjalë të tjera, ato protesta shikoheshin si një “revolucion socialist” që kishte për objektiv rrënimin e borgjezisë së pasluftës nga pushteti dhe vendosjen e pushtetit “social”(ist), dmth ardhjen e një regjimi të ekstremit të majtë, pak a shumë i ngjajshëm me revolucionet socialiste në botë, që nën flamurin e drejtësisë sociale, kishin joshur masat e gjëra popullore, rininë revolucionare dhe fshatarësinë për ardhje në pushtet, i cili shumë shpejtë u shndërrua gjithëkund në diktaturë të egër komuniste dhe në regjim totalitar.
Prandaj edhe “demokracia” sui generis e brendëshme e Vetëvendosjes, si edhe tek revolucionet socialiste (komuniste) karakterizohej si e tillë.
Albin Kurti apstenoi nga rikandidimi për kryetar partie para 3-4 vitesh, pikërisht për të dërguar një mesazh shoqërisë kosovare të egalitarizmit të tillë, që realisht i karakterizon partitë e ekstremit të majtë kudo në botë gjatë parapërgatitjes së revolucineve dhe rrëzimit të “regjimeve antipopullore”, për të vendosur “pushtetin popullor” dhe drejtësisë sociale.
Natyrisht se një ideologji e tillë ultramajtiste e Vetëvendosjes, e udhëhequr nga revolucionari Albin Kurti, i cili besonte fuqishëm dhe e deklaronte publikisht besimin e tij në fuqinë e protestave dhe të uraganit shkarërrimtar e vdekjeprurës të masave të pakënaqura e të mllefosura popullore, ndihej i fuqishëm dhe krenarë duke qëndruar (si komandant) në ballë të atyre protestave. Sidomos kundër Qeverisë së LDK-istit Isa Mustafa.
Efektet e këtij revolucionariteti dhe atyre protestave shkatërrimtare të udhëqura e të frymëzuara nga Vetëvendosja dhe Albin Kurti & Company ishin të mëdha.
Si rezultat i drejtëpërdrejtë i tyre, Lëvizja “Vetëvendosje” shënoi rritje të jashtëzakonëshme në zgjedhjet e parakohêshme parlamentare të 11 qershorit 2017, duke e dyfishuar votën e tyre.
Duhet theksuar se dikund kah maji i vitit 2017, kishte ndodhur një ndryshim radikal në “lukun” e lidershipit të Vetëvendosjes: kravatizimi apo kollarizimi i saj. Në këtë kohë për herë të parë Albin Kurti dhe udhëheqësia e ngushtë e saj, u paraqitën në publik me kollar (kravata)!
Kjo ishte një befasi e madhe për opinionin, por, njëkohësisht paraqiste një sinjal të qartë se brendapërbrenda këtij subjekti politik, që deri atëherë ishte “as mish e as peshk “, dmth as parti e as lëvizje popullore, po ziente diçka e madhe, dmth një “ndryshim i madh”!
Pikërisht në këtë kohë kishin filluar mospajtimet brenda lidershipit të Vetëvendosjes, fillimisht midis Dardan Molliqajt, Visar Ymerit dhe grupit kundër ri kandidimit të Albin Kurtit për kryetar të VV-së. Realisht, këta ishin kundër kultit të personalitetit të Albin Kurtit, i cili ishte stërfuqizuar nga protestat e përmendura.
Prandaj, Albini nuk shikohej më si një lider që pretendonte të shitej si “i pari ndër të barabartit”, por si person tepër i fuqishëm, si lider me prirje totalitare, ose si një diktator i ardhshëm i tipit që prodhuan revolucionet socialiste në të kaluarën e hidhur ish-socialiste (komuniste), pasojat negative të të cilëve po i vuajmë edhe sot e kësaj dite.
Fitorja e madhe e Vetëvendosjes në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, pra, shënuan kulmin e fuqisë politike të saj, meqë arriti të fitoj 32 mandate të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe doli si parti e parë.
Por, njëkohësisht, këto zgjedhje paraqitën edhe fillimin e fundit të saj.
Sepse, burokratizimi i lidershipit të saj, i simbolizuar me vendosjen e kravatave, realisht pretendonte t’i fshihëte vlimet e brendëshme, të cilat do të shpërthenin fuqishëm, si vullkan i pandalshëm, vetëm pas “sms”it famoz të deputetes Aida Dërguti, në dhjetorin e vitit 2017.
Kam përshtypjen se Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti personalisht, nuk mund të qëndrojnë në skenën politike të Kosovës pa protesta, ashtu sikur që aeroplani nuk mund të qëndroj në ajër pa fluturuar. Ose, si peshku pa ujë.
Sepse, atyre u nevoiten protestat, madje u nevoiten protesta “revolucionare”, me fuqi të madhe rrënuese e shkatërruese.
Sa më të mëdha dhe më shkatërruese që të jenë protestat, aq më i madh do të jetë edhe “argumenti” për rrënimin e pushtetit të “Republikës së Dytë” dhe për vendosjen e “Republikës së Tretë”, si regjim i “barazisë dhe drejtësisë sociale” dhe diktaturës personale të Albin Kurtit.
Rrjedhimisht, mbase ky do ishte edhe shpëtimi nga fundosja (e pashmangëshme) politike e Lëvizjes Vetëvendosje?!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400