Ditët e tmerrit në qeli, flet në liri reperi shqiptar: Si më lidhën me drogë në Itali

09:40 / E mërkure, 08 Gusht 2018

As një muaj nga shkrimet e bujshme në mediat italiane se një nga shqiptarët e arrestuar në Itali ishte këngëtari Dëfrim Dervishi, i njohur me emrin e artit si Defri, vjen lajmi i lirimit të tij nga paraburgimi. Reperi, që bën përshtypje për luksin në klipet e tij, rrëfen këtë histori të hidhur, për të cilën thotë se nuk di të qeshë apo të qajë me çfarë përjetoi.

Duke qenë se emri dhe fotoja e tij u bë kryefjala e mediave në vendin ku jeton prej 10 vitesh, tashmë, në gjendje të lirë ai jep intervistën e parë për “Panorama Plus”, ku rrëfen si përfundoi në pranga, eksperiencën me drejtësinë italiane dhe historinë e pazakontë të një djali të ri që dikur merrej me ndërtim, por sot bën karrierë në muzikë.

Gati një muaj më parë mediat italiane dhe ato shqiptare shpërndanë një lajm ku përmendej emri yt si pjesë e një bande të arrestuar për trafik droge në Itali. Çfarë ndodhi dhe si e përjetove?
Në fillim, kur më arrestuan, e mora me sportivitet. Po tallesha me shokët dhe po qeshnim se siç ndodh në të gjithë botën të marrin për verifikim dhe pastaj të lëshojnë. Por kur unë lexova dosjen, të them të drejtën, u shokova se s’po kuptoja çfarë po ndodhte dhe për çfarë bëhej fjalë.

Sipas shkrimeve të publikuara, ti ishe njëri prej anëtarëve të fisit tuaj në këtë bandë. Si arrite të dalësh i pafajshëm?
Unë dhe familja ime kemi punuar gjithë jetën me ndershmëri, duke qenë se jemi marrë me ndërtim dhe kemi 20 vite në Itali që bëjmë këtë punë. Kur u vërtetua e gjitha, që ne nuk kishim të bënim me këtë histori, por ishte një keqkuptim i disa takimeve të mia me persona të gabuar, drejtësia italiane e kuptoi si qëndronte e vërteta dhe normal që dolëm të pafajshëm siç është e vërteta.

Si i përjetove ato ditë në arrest, ishte e vështirë dhe çfarë bluante mendja jote në kohën që ishe brenda në qeli?
Më mirë të mos i kujtoj. Unë s’kam pasur kurrë të tilla probleme në jetën time dhe normal që deri ditën kur dola, e përjetova shumë keq. Më keq akoma kur e di që po akuzohesh kot dhe në kohën që isha brenda mendoja për familjen dhe shumë projekte që kam në muzikë. E kështu, mezi prisja ditën që të dilja nga aty ku isha.

Në klipet që ke realizuar deri tani shohim që lundron në luks. Si ia ke arritur të sigurosh kaq shumë para në moshë kaq të re?
Siç jua thashë më sipër, kemi 20 vite që jetojmë në Itali dhe falë punës, që kemi bërë me vëllezërit, kemi arritur të ndërtojmë një nga firmat më të suksesshme të ndërtimit në zonën ku jetojmë dhe këtë gjë e dinë shumë mirë të gjithë njerëzit që na njohin. Dhe siç e dinë të gjithë, ndërtimi në Itali dhe kudo ka normal fitime për të bërë një jetë të mirë.

Ishte e gjithë kjo histori një prishje imazhi, apo je me idenë se një reper e ka në favor të karrierës dhe emrit jetën me probleme?
Po ndoshta dhe e ka në favor, por unë jam tip që nuk i dua këto gjëra. Unë dua të bëj muzikë për fansat e mi dhe publikun e të kem një jetë të qetë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400