Bayern Munich, Ancelotti: Jemi më të mirë se…

12:10 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

Lider në Bundesliga me tre pikë përpara RB Leipzig-ut të vendit të dytë (36 pikë), Bayern Munich ka realizuar një fazë të parë të sezonit me ulje-ngritje, ndërkohë që nuk ka mundur ta mbyllë veçse në vendin e dytë fazën e grupeve në Champions League-n.

Kampionët e Gjermanisë ndërruan trajner në verën e 2016-ës dhe në vend të spanjollit Pep Guardiola mbërriti italiani Carlo Ancelotti, një ndryshim që kërkon kohën e tij për të sjellë efektet e pritura nga drejtuesit e klubit bavarez. Në stazhin stërvitor të Doha-s, Carlo Ancelotti është shfaqur besimplotë për ecurinë e sezonit. “Java ka qenë shumë e mirë, jemi stërvitur me intensitet të lartë.

Besimin e kemi në maksimum dhe koha po na ndihmon shumë. Është e pamundur të punosh me këtë intensitet në zero gradë. Tani jemi më të mirë se verën e kaluar. E njohim më mirë njëri-tjetrin, dhe kemi gjashtë muaj që punojmë bashkë. Mendoj se gjysma e dytë e sezonit do të jetë më e mirë se e para. Kjo është shumë e rëndësishme për të arritur objektivat në tri veprimtaritë”, shpjegoi Carlo Ancelotti për faqen zyrtare të klubit.

Trajneri i Bayern Munich-ut ka besim te forca e grupit për të realizuar një pjesë të dytë të sezonit në nivele të larta: “Pritshmëritë ndaj lojtarëve tanë janë më të larta se në fazën e parë. Ne dëshirojmë të jemi të parët deri në fund të sezonit. Të gjithë janë shumë të kënaqur nga Manuel Neuer. Ai është portieri më i mirë në botë.

Neuer është gjithmonë i përqendruar duke e ndihmuar skuadrën të jetë më e fortë. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Ekipi është i mirë, kemi një kombinim të mirë të të rinjve me lojtarët me më shumë eksperiencë. Ky kombinim do të na ndihmojë për pjesën e dytë të sezonit”. Bayern Munich vijon garën në tre kompeticionet. Në javën e 17 të Bundesliga-s skuadra e Ancelotti-t do të diskutojë transfertën e Freiburg-ut më 20 janar.

Vetëm 8 ditë pas përplasjes me Wolfsburg-un më 7 shkurt për Kupën e Gjermanisë , bavarezët do të presin në “Allianz Arena”, Arsenal-in për 1/8-at e Champions League-s.

 

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400