Duka e pranon: Zero shanse kualifikimi në “Rusia 2018”

14:17 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

FIFA vendosi të ndryshojë formatin e fazës finale të Botërorit të futbollit.

Propozimi i presidentit Gianni Infantino u miratua dje, ndaj prej vitit 2026 do të kemi 48 skuadra pjesëmarrëse në fazën finale të këtij kompeticioni, jo 32 si deri më tani. Po çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

A do të përfitojë nga ky zgjerim, sikurse i buzëqeshi fati në “Euro 2016”? Koha do ta tregojë këtë gjë, ndërsa presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zbulon këndvështrimin e vet mbi këtë çështje. Në një intervistë për gazetarin Endi Tufa të “Top Channel”, kreu i futbollit shqiptar tha:

“Diskutimi për shtimin e skuadrave në finalet e botërorëve është i hershëm, u shtrua në tryeza që në vitin 2015. Më vjen mirë që sot ky diskutim ka marrë një përgjigjie pozitive dhe Këshilli i FIFA-s ka vendosur që të shtohet numri i skuadrave nga 32 në 48. Ky është një zhvillim pozitiv për futbollin botëror në përgjithësi, i nxit akoma më shumë vendet për zhvillimin e futbollit. Konsiderohet një nga vendimet pozitive të këtij fillimviti.

Sa përfiton Shqipëria? Për të qenë realistë, në gjuhën sportive është gjithmonë e vështirë pjesëmarrja e kombëtares sonë në finalet e Botërorit, sepse numri i skuadrave pjesëmarrëse, pavarësisht se do të rritet, kuota që do të marrë Europa mund të jetë 5-6 finalistë më shumë. Kjo do të thotë që pak a shumë dy vendet e para, ose një pjesë e mirë e dy vendeve të para dhe 70-80 përqind e vendeve të dyta do të kualifikohen për në Botëror.

Është një mundësi më shumë, por nuk është se zvogëlon shumë distancën e të qënit një ekip i kualifikuar. Gjithsesi mbetet një ëndërr, një objektiv i ekipit shqiptar, që urojmë ta realizojmë një ditë. Kemi marrë pjesë njëherë në Europian, por kjo  nuk do të thotë që jemi një ekip pjesëmarrës i përhershëm. Në eliminatoret e Botërorit që po luajmë shanset tona janë të pakta, për të mos thënë zero, për vetë pikët që kemi dhe për kundërshtarët.

Dy kampionë bote në grup, nga të cilët vetëm një do të shkojë direkt në Botëror, e bën thuajse të pamundur ëndrrën kuqezi. Ne duhet të luajmë mundësitë tona në të ardhmen, në Botërorin 2022 dhe akoma më shumë në vitin 2026.”

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400