Duka: Të mësojmë nga gabimet, synojmë Euro 2020-ën

01:00 / E mërkure, 15 Nëntor 2017

 

Fitore e merituar por shumë gjëra për të korrigjuar. Ky është thelbi i deklaratës së presidentit të FSHF, Armando Duka menjëherë pas rikthimit në tokën shqiptare pak orë pas suksesit 3-2 në Antalia ndaj Turqisë. Sipas presidentit të federatës, skuadra duhet të mësojë shumë në mënyrë që gabimet e vëna re në këtë 90 minutësh, të mos përsëriten në ndeshjet zyrtare.

“Jam i kënaqur me rezultatin e ekipit dhe me përgatitjen që i bënë ndeshjes dhe atë çfarë dhanë në fushë. Në një ndeshje miqësore është i rëndësishëm eksperimenti teknik dhe nëse merr një fitore, është një kënaqësi më shumë. Duhet të nxjerrim mësime nga gjërat që bëmë keq, për t’i korrigjuar në të ardhmen. Edhe kjo ndeshje nuk ka pasur pak gabime, por shpresojmë të mos i përsërisim më. Nuk duhet të bëjmë gabime amatoreske”, tha kreu i FSHF-së.

Tashmë Kombëtarja e kthen vështrimin nga ndeshjet zyrtare, për një biletë europiane dhe Duka beson se ky grup ka mundësi reale për të na dhuruar një tjetër ëndërr.

“2020-a? Kam shumë besim te skuadra. Ka të gjitha mundësitë për të fituar çdo ndeshje, por s’mund të themi që jemi një skuadër e madhe, që mund të marrim 3 pikët në çdo takim. Me një short të mirë, i kemi të gjitha mundësitë për të arritur në europianin e 2020-ës”, u shpreh Armando Duka.

Paraqitjet e skuadrës nën drejtimin e trajnerit të ri i kanë bindur pothuajse të gjithë skeptikët, por kreu i FSHF-së kërkon më shumë nga trajneri italian.

“Rruga është shumë e gjatë dhe ne kemi objektivat tona për 2020-ën, por nëse do të kualifikohemi, do të falënderojmë Panuccin dhe të tjerët. Kemi eksperienca pozitive, kur ekipi rri më shumë bashkë. Në shtator do të presim shortin”, mbylli deklaratën e tij kreu i Federatës.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400