Edon Zhegrova i kundërpërgjigjet trajnerit të Shqipërisë: “E kam dashur gjithmonë Kosovën”

11:26 / E enjte, 22 Mars 2018

Edon Zhegrova thotë se zgjodhi Kosovën pasi gjithmonë kjo ka qenë dëshira e 18 vjeçarit e jo siç thotë Christian Panucci, se “ndikoi babai në vendimin e lojtarit”.

Emri i tij ka bërë shumë bujë në ditët e fundit për faktin se talenti i Genk në Belgjikë Edon Zhegrova raportohej se fillimisht vendosi të luante për Shqipërinë dhe më pas zgjodhi Kombëtaren e Kosovës, aq sa trajneri i kombëtares kuqezi, Christian Panucci, u shfaq i revoltuar në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Norvegjisë kur iu përmend nga gazetarët emri i Zhegrovës, me italianin që theksoi se për talentin kosovar vendosën familjarët dhe jo ai vetë.

“Edon Zhegrova ishte i gatshëm të vij te ne, por ndikoi ndërhyrja e të atit”, ka deklaruar Panucci.

Por, Edon Zhegrova ka shuar çdo keqkuptim për sa i përket zgjedhjes së tij. I grumbulluar nga “Dardanët” për dy miqësoret ndaj Madagaskarit dhe Burkina Fasos në të cilat pritet të bëjë edhe debutimin e tij me Kosovën, Zhegrova theksoi se gjithmonë ka dashur të luajë për Kosovën: “Gjithmonë e kam dashur Kosovën, këtë e kam thënë që në fillim”.

Futbollisti i talentuar që në fund të marsit do të mbushë 19-vjeç, nënvizoi se asnjëherë nuk ka qenë në mëdyshje për zgjedhjen e tij, ndërsa foli edhe për dy sfidat e radhës me Kosovën.

“Nuk i njoh mirë dy përfaqësueset që kemi përballë dhe nuk e di sesi luajnë, por ne do të jemi të vëmendshëm gjatë kohës dhe unë jam optimist se do të luajmë mirë dhe do të marrim rezultate pozitive”, deklaroi talenti i Genk.

Zhegrova, që shpesh është identifikuar si “Messi i Kosovës”, ka bërë 14 paraqitje për Genkun këtë edicion, duke shënuar një gol dhe dhuruar dy asiste.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400