Montella i ekzaltuar: Eshtë një rezultat historik për Sevilla

11:03 / E mërkure, 14 Mars 2018


Trajneri i Sevilla, Vicenzo Montella, mbërriti në dhomën e ndritshme të shtypit në “Old Trafford” tejet i lumtur. “Jam shumë i gëzuar që kam fituar këtu, në një stadium të veçantë. Është një rezultat historik për këtë klub”, – tha ai.

Trajneri italian theksoi performancën e ekipit të tij: “Ne gjithmonë rrezikojmë në punën tonë. Në ndeshjen kundër Valencia, në fundjavë, luajtëm njësoj, por një gabim na dënoi. Sot ekipi ka qenë pothuajse i përsosur”. Ai, gjithashtu, theksoi rolin e heroit të natës, autorit të dy golave: “Ben Yedder ka qenë fantastik. Ai ka treguar përparimin e madh që ka bërë. Jam i lumtur për të”.

Ben Yedder ka shënuar në këtë edicion të Ligës së Kampionëve të njëjtët gola si Cristiano Ronaldo, gjithsej tetë. Në nivel global, performanca e Sevilla ishte shumë e merituar gjatë 180 minutave të 1/8 finale të Champions-it. Me këtë rezultat, Sevilla përmirëson performancën e vitit të kaluar në Champions, kur ra në raundin e dytë. “Nëse arrijmë në finale? E pra, kemi edhe dy eliminatore të tjera, prandaj më mirë të flasim për ndeshjen e radhës”, – tha transalpini, kur u pyet për “çatinë” e skuadrës së tij.

Andaluzianët do të jenë një nga surprizat e shortit të së premtes, për çerekfinalet e këtij kompeticioni. Ndoshta një nga ekipet me pritshmëri më të pakta, por, siç tregoi në Manchester, një arrë e fortë për t’u thyer. Montella nuk donte të fliste për përparësitë, apo ekipet për t’u shmangur. Prioriteti i tij, natën e kaluar, ishte një tjetër: “Tani për tani dua vetëm ta shijoj këtë moment”.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400