Në pritje të vendimit të FIFA-s, Shaqiri reagon në rrjetet sociale

20:06 / E diell, 24 Qershor 2018

Ndërkohë që simbolet shqiptare janë bërë temë në të gjitha mediat botërore dhe pritet vendimi i FIFA-s për dënimin eventual të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, ky i fundit ka rikujtuar vendimin e tij për Kampionatin e sivjetmë Botëror.

Në një rrëfim të gjatë për The Players Tribune, mesfushori shqiptar kishte folur për jetën e tij që nga fëmijëria deri në arritjen e kulmit të karrierës si futbollist i klasit ndërkombëtar.

Në një pjesë të deklaratës në platformën ku shprehen sportistët më të mëdhenj, 26-vjeçari e kishte bërë të qartë se në Rusi do të luante me këpucët në të cilat, pos flamurit të Zvicrës ishte edhe flamuri i vendlindjes së tij, Kosovës.

Dhe pikërisht ashtu bëri – në këpucën e tij të djathtë ndodhet flamuri i Kosovës, ndërsa në të majtën, ai i Zvicrës.

Ndërkaq, origjina e tij doli në pah sidomos në ndeshjen kundër Serbisë, në të cilën e shënoi golin e fitores dhe festoi duke e bërë simbolin e shqiponjës me duar.

Dhe tani kur FIFA i ka nisur hetimet dhe ekziston mundësia që Shaqiri së bashku me Granit Xhakën të dënohen me nga dy ndeshje moslojë (në rast të dënimit maksimal, sipas Nenit 54 të Kodit disiplinor), Xherdani ka rikujtuar një pjesë të deklaratës së tij lidhur me flamujt që do t’i përdorte në Kampionatin Botëror, raporton Telegrafi.

“Kur të hyj në fushë në Kampionatin Botëror 2018, do ta kem edhe flamurin e Zvicrës edhe atë të Kosovës në këpucët e mia”.

“Jo për arsye politike apo diçka të ngjashme. Por, sepse flamujt rrëfejnë tregimin e jetës sime. Prandaj mos u shqetësoni, flamuri i Zvicrës është në këmbën time të majtë”, ka thënë Shaqiri, ndërsa postimin e ka shpërndarë në InstaStory.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400