Skandali doping, Shqipëria humbet të drejtën e organizimit të Europianit

15:36 / E hëne, 22 Janar 2018

Problemet për peshëngritjen shqiptare nuk kanë të sosur. Pas skandalit doping me peshëngritësen Romela Begaj, që doli pozitive me stanozolol për të dytën herë në karrierë, një muaj pas medaljeve në Botërorin e Amerikës, javën e kaluar erdhi dorëheqja e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.
Ndërsa sot, ka ardhur e-mail nga Federata Europiane e Peshëngritjes, se Shqipërisë i është hequr e drejta e organizimit të Kampionatit Europian të shtangës për kategorinë senior, që ishte programuar për t’u zhvilluar në Tiranë, më datat 23 mars-1 prill të këtij viti.

Përmes një komunikimi elektronik, ndërkombëtarët konfirmojnë faktin se Shqipëria nuk do të organizojë Europianin për shkak të problemeve me dopingun. Federata Europiane e Peshëngritjes pranon se për të ky është një problem i madh dhe se po sheh mundësinë e organizimit të këtij eventi në një shtet tjetër, duke i dhënë mundësi vendit të ri organizator ta zhvillojë Europianin edhe në një datë të mëvonshme. Ndërkombëtarët janë në negociata me disa nga shtetet e tjera anëtare për ta organizuar Europianin, të cilin synojnë ta zhvillojnë sipas planifikimit (në fund të marsit).

Ky vendim i Federatës Europiane të Peshëngritjes për heqjen e Shqipërisë të drejtën e organizimit të Europianit është një goditje e rëndë për shtangën shqiptare dhe mund të jetë hapi i parë i një seri masash edhe më të rënda karshi peshëngritjes shqiptare, deri në pezullim.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400